16 nëntor 2014– Drejtuesit e Federatës Serbe të Futbollit dhe tekniku i tyre holandez, Dick Advocaat një ditë pas disfatës me Danimarkën (1-3), në stadiumin e Partizanit të Beogradit, ranë dakord për zgjidhjen e kontratës. Dick Advocaat kishte deklaruar se ai po merrte në konsideratë mundësinë që të jepte dorëheqjen nga posti i trajnerit të Serbisë pas disfatës me përmbysje që skuadra e tij pësoi nga Danimarka në shifrat 3-1. Në stadiumin e boshatisur të Partizanit të Beogradit si pasojë e vendimit të Uefa-s për dhunën e tifozëve në ndeshjen me Shqipërinë, serbët kaluan në avantazh me Tosiç por një dygolësh i Niclas Bendtner dhe finalizimi i Kjaer i dhanë fitoren nordikëve me trajnerin holandez që pranoi paraqitjen katastrofike të skuadrës së tij. “ Kjo është ndeshja e parë e tmerrshme nga kampi ynë. Ne nuk meritonim të fitonim, është e thjeshtë. Danimarka ishte skuadra më e mirë. Ndoshta ka shumë presion mbi skuadrën tonë.” Pas 4 ndeshjesh skuadra Serbe mbetet me vetëm një pikë në grupin I, 6 më pak se Danimarka kryesuese, 5 më pak se Portugalia dhe 3 pikë më pak se Shqipëria, situatë që e vështirëson misionin për tu kualifikuar drejt Euro 2016 dhe Advokat është gati të ngrejë flamurin e bardhë:“ Unë kisha një arsye që mora këtë detyrë. Dhe ajo ishte se kisha ndjesi të mira për këtë skuadër, se ne ishim të zotë të kualifikoheshim. Pas gjithë atyre që ndodhën në këto muajt e fundit, dhe me dënimin e Uefas, të gjithë janë vënë nën presion, gjithçka mori mbrapsht pas asaj ndeshjeje me Shqipërinë, të gjithë jemi nën presion. Unë mendoj se duhet të jemi realist dhe mua më duhet të diskutojë për dorëheqjen e mundshme me njerëzit e Federatës Serbe.” Një deklaratë që ngjason me një dorëzim të pastër ajo e Advocaat që përdor si justifikim për dorëheqjen e mundshme dhe kompromentimin e misionit për tu kualifikuar, dënimin e Uefas për ngjarjet në Serbi-Shqipëri, dënim që në fakt në raport me ngjarjen që ndodhën në Beograd ishte më tepër një përkedhelje se sa një penalizim për palën Serbe.Trajneri me përvojë, menjëherë pas ndeshjes me danezët njoftoi se do të ulej në bisedime me drejtuesit e FSS-së mbi pozicionin e tij si trajner i kombëtares serbe dhe pak më shumë se 12 orë pas përfundimit të duelit me nordikët e Morten Olsenit, përfundoi bashkëpunimi dypalësh. Pra, Advokat nuk është më trajner i kombëtares së Serbisë. Holandezi debutoi në stolin serb, gjatë një ndeshjeje miqësore kundër Francës (1:1). Serbia është aktualisht në vendin e fundit në tabelën e Grupit I kualifikues, me vetëm një pikë.





