Diego Longo është i kënaqur nga skuadra pas rreth tri javësh përgatitje në Bansko të Bullgarisë. Trajneri italian i Teutës, ka komentuar gjendjen e skuadrës në këtë fazë të ngarkuar stërvitore, e cila është shoqëruar edhe me tri ndeshje miqësore (Teuta-Brera Strumica 2-2, Teuta- CSC Selimbar 2-2 dhe Teuta-Kirgistan 0-0). Longo deklaroi se Teuta ka nevojë për përforcime të tjera, edhe pse është i lumtur për grupin që ka aktualisht në dispozicion.Nga merkatoja e verës deri më tani klubi durrsak ka konfirmuar afrimin e Ergys Peposhit, Aldi Gjumsit, Realdo Filit, Arsid Krujës dhe Elton Vatës. Nga ana tjetër, janë larguar Pano Qirko, Albion Marku, Sherif Kallaku, Jurgen Goxhaj, Ildi Gruda, Aleksandër Kuro, Uheid Hoxha dhe Aldrit Oshafi.
Mister, u bënë tri javë në Bansko të Bullgarisë. Si kanë shkuar përgatitjet deri më tani?
Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe skuadra po rritet ditë pas dite. Kemi ende shumë punë për të bërë, por ajo që mund të them me plot gojën është se jemi në rrugën e duhur.
Së fundmi luajtët një ndeshje miqësore me kombëtaren e Kirgistanit, ku barazuat 0-0…
Jam shumë i lumtur me skuadrën për atë që bëmë në këtë miqësore. E kontrolluam totalisht lojën dhe kundërshtari na ka rrezikuar vetëm përmes goditjeve standarde, kryesisht korneve.
Çfarë ju bind më tepër te grupi aktual?
Nëse u referohemi miqësoreve, të cilat kemi bërë, ajo që më bind më tepër te skuadra është se po bën atë që kemi përgatitur gjatë gjithë këtyre ditëve në stërvitje. Megjithatë, jemi në kulmin e fazës përgatitore dhe duhet të përmirësohemi të gjithë së bashku gradualisht.
Janë afruar pesë lojtarë gjatë merkatos. Grupi është i kompletuar apo prisni ende afrime?
Në këtë moment unë jam i lumtur për futbollistët që po stërvis. Puna është që të përgatis sa më mirë lojtarët që më sjell klubi. Normalisht që kemi nevojë për përforcime, por atë e vendos klubi. Në këtë situatë duhet të pyesni edhe presidentin, por gjithsesi unë jam shumë i kënaqur me skuadrën që kam.