Teuta barazoi pa gola ndaj Elbasanit, por trajneri Enkeleid Dobi u shfaq i kënaqur me performancën e skuadrës së tij, pavarësisht mungesës së finalizimit.

 “Me atë që ndodhi në fushë, na mungoi vetëm goli, na mungoi fitorja. Organizimi i lojës ishte në nivelin që kërkojmë, por finalizimi nuk erdhi. Jemi në proces, kemi mangësira, por duhet të jemi krenar për atë që prezantuam,” – u shpreh Dobi.

Strategu i durrsakëve theksoi se skuadra duhet të jetë më e qartë dhe më e matur në 20 metrat e fundit:

“Na mungon thjeshtësia aty ku vendoset ndeshja. Ekipi u përgjigj në masën 75-80 %. Duhet të ngremë traun, të mos jemi më ekipi modest i së shkuarës. Çunat dhe stafi kanë meritat e veta, me gjithë klubin që na mbështet.”

Dobi vlerësoi gjithashtu edhe kontributin e lojtarëve, duke përmendur në veçanti Beshirajn: “Nuk kanë qenë performanca të këqija as të Zelës, por duhet t’i japim meritat Beshirajt. E meritonte, u fut ndaj Vllaznisë dhe shënoi. Tregoi që ka karakter, duhet t’i japim hakun. Jemi në linjën e duhur dhe me kalimin e kohës do të vijë edhe finalizimi”, u shpreh ai.