Përpara ndeshjes me Tiranën trajneri i Teutës Enkelejd Dobi në konferencën për shtyp e ka cilësuar këtë ndeshje mjaft të rëndësishme, madje një finale të vogël të cilën durrsakët kërkojnë ta fitojnë: “Çdo ndeshje është e rëndësishme por me Tiranën është akoma më domethënëse për hir të historisë së të dy ekipeve, Teutës dhe Tiranës, si dy ekipet më të vjetra dhe këtë rivalitet e kam shijuar edhe vetë kur kam qenë futbollist.
Çdo ditë shohim një Teutë dinjitoze, një ekip me personalitet që ka mendim dhe kërkon ta shprehë atë në fushë. Ne e kemi thënë gjithmonë që i marrim ndeshjet një e nga një dhe kjo ndeshje është më e rëndësishmja për ne që mund ta quajmë një finale të vogël dhe që duam ta fitojmë e me këtë mendim do hyjmë në fushë e cila vendos pastaj gjithçka.”
Midis Teutës e Tiranës ka mjaft rivalitet nisur nga historia e dy klubeve ndaj Dobi kërkon që lojtarët të menaxhojnë emocionet dhe të mos ndjehen nën presion: “Pa taktikë nuk fitohet një ndeshje por emocionet ndërhyjnë në një ndeshje ndaj duhet të dimë të kontrollojmë këto emocione. Presioni është pjesë e pandashme e jetës sonë por duhet të dimë ta konvertojmë presionin në emocione pozitive.”
Në fund trajneri Dobi ka një mesazh edhe për tifozët durrsakë: “Këta lojtarë, ky klub, të gjithë ne përfaqësojmë këtë qytet dhe tifozët janë pjesë e pandarë e jona. Është mjaft domethënëse për ne që kemi mbështetjen e shumë njerëzve që e duan këtë klub, e duan këtë qytet dhe na mbështesin në të mirë e në të keqe dhe për ata luhen këto ndeshje.”





