Pas largimit të Bledar Devollit, durrsakët kanë vendosur t’ia besojnë pankinën Bledar Hodos, ish-kapiteni i skuadrës blu dhe një nga emblemave të klubit. Bledar Hodo është një zgjedhje brenda familjes për të synuar objektivat sezonalë. Tashmë është definitive që ish-kapiteni i bluve do të nisë zyrtarisht karrierën si trajner në ekipin ku arriti të fitonte gjithçka. Kjo është eksperienca e parë e Hodos si trajner, dhe Dodaj e Rizvani në krah të tij. Misioni i tyre do të jetë rikthimi i Teutës te rezultatet pozitive, duke qenë se durrsakët po kalojnë një moment të vështirë, pasi nuk kanë asnjë fitore në 5 ndeshjet e fundit. Hodo foli në prag të debutimit.

Hera e parë si trajner i parë si ndiheni?

Fillimisht dua të falënderoj presidentin Edmond Hasanbelli, për besimin që më dha, të marrë në dorë drejtimin e ekipit, por nuk mund të rri pa falënderuar as Devollin dhe Vrapin. Për punën e mirë të bërë, por ka qenë mungesa e fatit që nuk morëm rezultate. Ata janë miqtë e mi dhe do të mbeten të tillë.

E keni marrë ekipin në një moment të vështirë?

Unë e njoh këtë ekip dhe këta djem, ndaj jam i sigurt që si një grup i bashkuar do e kalojmë këtë moment jo të mirë që kemi pasur këto javë. Në futboll nuk ka gjithmonë momente të mira, por janë këto vështirësi që do na rikthejnë më të fortë dhe për të marrë maksimumin në këtë javë.

Debutimin me Tiranën, si e shihni?

Unë mendoj që çdo javë dhe çdo ndeshje është provë për Teutën. Jam i bindur se do të bëjmë përsëri një paraqitje të mirë. Do të shkojmë të luajmë një futboll të mirë do hyjmë në fushë për një rezultat pozitiv dhe shpresoj që fati të na ndihmojë që të jemi të gjithë në një ditë të mirë. Kundërshtari i radhës është më i vështirë do më tepër përqendrim. Ne do të vijojmë të punojmë, do të flasim këto ditë, kemi deri të shtunën kohë, për të rregulluar ndoshta ato gjëra të vogla për të qenë sa më efikasë.

Mendoni që do ta lini shpejt vendin e 9-të?

Tani të gjithë forcat tona do të përqendrohen te kjo ndeshje që të sigurojmë, së pari tri pikët e më pas të shohim me optimizëm nga e ardhmja.