Gugash Magani i gëzohet barazimit dhe lojës së tijve. Trajneri i Teutës e cilëson këtë rezultat si të duhurin për misionin “Europë”.
“Kishim ardhur në kryeqytet për të mos dalë pa pikë, ndaj barazimi më kënaq. Tri pikët do të ishin super, sidomos kur përballë ke Tiranën, ekip që e respektoj maksimalisht.Por edhe ky rezultat më kënaq. Kjo pasi skuadra ime bëri një paraqitje pozitive në fushën e lojës. Dua që të komplimentoj gjithë lojtarët për performancën. Gjatë kësaj jave kemi pasur disa probleme shëndetësore në skuadër, për shkak se disa prej tyre kanë kaluar gjendje gripale dhe kanë sakrifikuar kundër Tiranës. Këtu dua të veçoj Mustën, Maganin dhe Hilën, të cilët kanë qenë gjatë gjithë javës në gjendje jo të mirë shëndetësore. Kjo tregon edhe një herë karakterin që ka kjo skuadër dhe këta djem që luajnë për Teutën, të gjithë pa përjashtim”, u shpreh fillimisht trajneri peqinas.
Më tej ai foli edhe për Europën, teksa tha: “Janë edhe 39 pikë në lojë.Duhet të shohim çdo ndeshje si finale, duke nisur që nga ajo e javës së ardhshme ndaj Bylisit, një ekip i rrezikshëm, edhe pse lufton për mbijetesë. Takimi kundër Tiranës kaloi dhe rëndësi ka që nuk humbëm, duke vijuar serinë e rezultateve pozitive”.Magani foli edhe për të shkuarën, pasi dje u rikthye në kryeqytet si “ish”. “Nuk mund të krahasoj Tiranën time me këtë aktuale. Por ambienti miqësor që gjej këtu më bën të ndihem mirë”, u shpreh tekniku.