DURRËS, 21 tetor 2014– Humbja në Fier ndaj Apolonisë vendase i ka vështirësuar pozitat e Teutës, e cila ishte përgatitur për të marë një rezultat pozitiv. Në kampin durrsak kjo humbje la një shije të hidhur, pasi bëhet fjalë për një hap të gabuar kundrejt kundërshtarit direkt për pozitat në të cilat ndodhen dy skuadrat. Megjithatë "djemtë e detit" nuk duan ta bëjnë më dramatike siutuatën dhe shprehen se do të bëjnë autokritikë në sfidën e radhës, ku përballë do të kenë Tiranën. Trajneri Hasan Lika shprehet se sulmi kishte probleme në Fier por situata do të ndryshojë: “E dinim shumë mirë që kishim një kundërshtar të fortë siç ishte kjo ndaj Apolonisë. Erdhëm në Fier me synimin për të marrë një rezultat pozitiv, por gjithashtu e dinim që edhe Apolonia do të ishte e motivuar për të arritur një rezultat pozitiv. Loja e skuadrës nuk ishte në atë nivel që kërkonim, pasi lojtarët luajtën larg njëri-tjetrit dhe mbrojtja e mirë e Apolonisë, arriti që të na bllokojë për të realizuar atë lojë që donim dhe të paktën golin e barazimit. Kemi provuar deri në fund, por skuadra nuk ka arritur të realizojë plotësisht atë që kishim përgatitur dhe atë për të cilin jemi të aftë që të tregojmë në një ndeshje të tillë. Vështirësia e takimit ishte e madhe, por nuk duhet të dorëzohemi në asnjë moment. Mendojmë për ndeshjen e radhës, duke kërkuar që të përmirësojmë gabimet që kemi bërë në këtë ndeshje”, ka deklaruar trajneri i Teutës Hasan Lika, në përfundim të takimit me humbje minimale. Duke mos qënë shumë kompetitiv në kampionat Teuta do të synojë të ngrejë lart moralin në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Durrsakët do të presin të mërkurën Besëlidhjen, ndaj të cilës fituan me rezultatin 0-2 në ndeshjen e parë. Fakti që "djemtë e detit" kanë hedhur një hap të sigurtë drejt kualifikimit për në raundin tjetër të Kupës, i jep mundësi Likës të ruajë një pjesë të mirë të lojtarëve titullar për ndeshjen e fundjavës me Tiranën. Lika pritet të aktivizojë ndaj Beslidhjes lojtarët, të cilët nuk kanë patur shumë minuta në këmbët e tyre si, Hoxhallari, Peposhi, Hysenbelliu, Fall, Ulluri, Bardulla etj. Krahas lodhjes dhe energjive të konsumuara në përballjen me Apoloninë të dielën, tekniku Hasan Lika ka vendosur që të mos ketë asnjë ditë pushim për skuadrën.





