Kur është në prag takimi me Flamurtarin, skuadra e Teutës ka vijuar me programin antiFlamurtar. Skuadrat do të përballen për herë të tretë këtë sezon dhe në dy takimet e para skuadra e Maganit ka fituar kundër vlonjatëve. Në ndeshjen hapëse të kampionatit durrsakët fituan në transfertë me vlonjatët, edhe pse ndeshja luhej në Fier. Por edhe në këtë ndeshje djemtë e Teutës nuk duan të humbasin ritmin dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze.
Për sulmuesin kryesor të durrsakëve, Artur Magani, kjo është një ndeshje që duhet pasur shumë kujdes dhe nuk duhet lëshuar asgjë, pasi sipas tij kemi të bëjmë me një kundërshtar që ka lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë.
“Po i afrohemi sfidës së parë të kësaj faze dhe ndeshja kundër Flamurtarit ka vështirësitë e veta, ashtu siç ka çdo duel tjetër. Nuk ka ndeshje të lehta në këtë kampionat dhe atëherë kur e mendon të lehtë apo si kundërshtar që e kalon pa vuajtje, historia ka treguar krejt tjetër gjë. Për këtë arsye, edhe ne po e vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin e radhës, në mënyrë që të mos gabojmë e të mos e pësojmë nga ‘të marrit lehtë’. Ekipi i Teutës asnjëherë nuk i ka nënvlerësuar kundërshtarët apo mbivlerësuar veten dhe i ka parë rivalët si të barabartë. Kemi ditë që përgatitemi siç duhet dhe fryma është pozitive. Shpresoj që në këtë takim të rikthehem te goli dhe do të ishte më bukur nëse do të shënoja dhe të merrnim pikë. Shpresoj që të luajmë mirë dhe të kemi fatin me vete”, ka mbyllur bisedën e tij sulmuesi i durrsakëve Artur Magani.