Pas kaq shumë pritjesh, koha e hipotezave ka mbaruar. Italia e trajnerit Luciano Spalletti është gati për të debutuar në Euro 2024. 

Kundërshtari i parë i grupit është Shqipëria e Sylvinhos, në një grup shumë të komplikuar. 

Në prag të ndeshjes, Spalletti, foli për atmosferën në kampin e të kaltërve dhe pritshmërit kundër kuqezinjve.

“Ka pak emocion kur luani ndeshje të këtij niveli, por është një gjë e bukur dhe pozitive që e bën këtë stadium në Dortmund një vend të mrekullueshëm. Barella është rikuperuar, mund të jetë në fushë. Ne jemi protagonistët e ëndrrës së çdo italiani që në fëmijëri la shkollën me topin nën krah dhe u kthye në mbrëmje me fytyrë të djersitur, këmbë të lodhura dhe gjunjë të thyer. Për bashkatdhetarët tanë jemi heronj dhe gjigantë, ndaj duhet të vendosim gjithçka në lojë dhe nuk mund të jetë ndryshe. Duhet të tregojmë se jemi në nivelin që presin tifozët”.

I pyetur nëse do të jetë në gjendje të tregojë futbollin e tij te Italia, Spalletti tha: “Të duash gjithmonë të tregosh një mënyrë për të luajtur futboll është e rëndësishme, por ndonjëherë ia del dhe herë të tjera jo. Italia ime do të jetë në gjendje të tregojë atë që dëshiron”.