TIRANË, 3 korrik 2013 – Menaxhimi i integruar i mbetjeve – politikat dhe teknikat, kjo ishte tema për trajnimin e radhës, i katërti në llojin e vet, organizuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit për Evropën Qendrore e Lindore REC (Qendra Rajonale e Mjedisit për Evropën Qendrore e Lindore) Shqipëri, në kuadër të paketës së punës mbi ekspertizën dhe specializimin për menaxhimin mjedisor të OSHC-ve mjedisore, një nga komponentët e programit “Mbështetje për organizatat e shoqërisë civile në fushën e mjedisit në Shqipëri (SENiOR-A)”, i mbështetur nga qeveria suedeze.

19 përfaqësues të organizatave mjedisore, kryesisht individë të rinj të angazhuar në shoqërinë civile, ndoqën trajnimin intensiv dyditor me qëllimin për të kuptuar dhe njohur më mirë ciklin e plotë të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri.

Nëpërmjet modeleve ushtrimore të ndërthurura me teorinë, të pranishmëve iu transmetuan njohuri të detajuara në lidhje me aspektet ligjore, infrastrukturore, financiare, komunitare të menaxhimit të mbetjeve të ngurta urbane jo-të rrezikshme, si dhe zgjedhjet më të mira të mundshme për vendin tonë.

Gjatë diskutimeve dhe trajtimit të rasteve konkrete pjesëmarrësit u përpoqën të identifikojnë dhe të përcaktojnë rolin e tyre si shoqëri civile në këtë proces.

Pjesës teorike të trajnimit iu dha më shumë natyrë praktike gjatë një vizite në terren në një nga kompanitë e riciklimit të plastikës Everest ie.

Pjesëmarrësit panë nga afër procesin e plotë të përpunimit të mbetjeve plastike për t’i kthyer në materiale të ripërdorshme dhe zhvilluan një bashkëbisedim me përfaqësuesit e kompanisë, për të kuptuar më shumë se si funksionon në realitet procesi i menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Shqipëri, njoftoi REC Shqipëria.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/