Gazetarët e Durrësit morën pjesë sot në një trajnim mbi “Raportimin e ndjeshëm gjinor”, i cili organizohet nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje”, në kuadër të nismës “Zëri i Gruas në Media”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).
Nisma “Zëri i Gruas në Media” synon të rrisë vizibilitetin e grave profesioniste në jetën publike nëpërmjet promovimit të tyre në media, si dhe nisjen e bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve dhe grave për të ndryshuar prezantimin e grave në media.
Synimi i këtij trajnimi ishte mbi zgjerimin e njohurive të gazetarëve, redaktorëve dhe moderatorëve në Durrës rreth stereotipave gjinorë në media.
Çfarë është Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje”
Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” është një organizatë jo-fitimprurëse, është rrjeti i grave aktive në partitë politike, në shoqërinë civile dhe në media, e themeluar në 2008-n nga një grup i grave, pjesë e Programit të NDI-së “Zhvillimi Liderëve të rinj politik – Gratë në Advokaci”. 90% e anëtarëve të Rrjetit janë gra aktive në politikë nga i gjithë spektri politik në Shqipëri, duke ruajtur ekuilibrin e partive politike të majta dhe të djathta, dhe pjesa tjetër e anëtareve janë përfaqësuese të medias dhe shoqërisë civile, që punojnë për të arritur qëllimin e tyre të përbashkët.
Rrjeti i Grave ka për qëllim të arrijë barazinë gjinore në vendimmarrje, të fuqizojë rolin e grave në shoqërinë dhe politikën shqiptare, të përmirësojë jetën e grave duke mbështetur zgjedhjen e më shumë grave në postet publike me anë të procesit politik për të advokuar për nevojat e tyre. Pjesa më e madhe e aktiviteteve të organizuara nga Rrjeti i Grave kanë në fokus promovimin dhe përfshirjen e grave në politikë, në vendimmarrje dhe në media. Tashmë, Rrjeti është duke punuar në rritjen e vizibilitetit të grave dhe promovimin e imazhit jo të diskriminuar gjinor të grave dhe vajzave në Media.
Nisma “Zëri i gruas në media”
Në Shqipëri gratë përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë, por ende diskriminimi me bazë gjinore është i përhapur në shoqërinë shqiptare. Gratë përballen me sfida serioze ekonomike, sociale dhe kulturore, që i përjashton ato nga aksesi dhe gëzimi i të drejtave të tyre.
Media është një nga pushtetet kryesore e vendimtare për çdo demokraci dhe luan një rol të rëndësishëm në formësimin e qëndrimeve publike. Ajo mund të përforcojë stereotipat gjinorë ose mund të ndihmojë në ndryshimin e mentalitetit, që për shumë vite ka penguar përpjekjet e grave për t’u bërë partnere reale në proceset politike, sociale dhe ekonomike në Shqipëri. Përveç kësaj, media ka fuqinë për t’u dhënë formë qëndrimeve publike duke përmirësuar perceptimin dhe promovimin e pjesëmarrjes së grave në të gjitha sferat e jetës. Fatkeqësisht, media shqiptare, por edhe ajo botërore, ende karakterizohen nga shtrembërime të rolit të gruas në shoqëri. Veçanërisht në Shqipëri, pasojat e raportimit jo të barabartë janë serioze dhe gratë dhe pikëpamjet e tyre mbi çështje të ndryshme, me interes të përbashkët, janë më pak të pranishme se sa të burrave.