Të rinj të angazhuar në forumet politike në Durrës janë bërë bashkë për të diskutuar mbi situatën, prioritetet dhe problematikat me të cilat ndeshen ata dhe bashkëmoshatarët e tyre në nivel qarku. Pavarësisht forcës politike së cilës i përkasin, të rinjtë nxorrën në pah se përballen me të njëjtat probleme mes të cilave dhe ato që lidhen me tregun e punës, cilësinë e edukimit, mungesën e aktiviteteve dhe qendrave rinore, si dhe dëshirën për t’u larguar. Përfaqësues të forumeve rinore politike në Durrës, ata u mblodhën, në fundjavë, në një trajnim dyditor për “Lidershipin e të Rinjve në Politikë”, organizuar nga Westminster Foundation for Democracy. Nxitja e debatit bazuar në argumenta dhe formimi i një klase të re politike larg modeleve të sotme dhe gjuhës së urrejtjes është në qendër të aktiviteteve që po organizohen në Durrës dhe qarqe të tjera të vendit me të rinjtë.

“Të rinjtë kanë pak hapësira për të depërtuar në politikën shqiptare dhe si rrjedhim hapësira shumë të vogla për të bërë ndryshimin. Ne duhet të nisim me strukturat ekzistuese dhe të shohim mundësitë se si të rinjtë të zënë një hapësirë domethënëse dhe të kenë idetë, argumentet dhe platformat e tyre. Përtej klisheve që të rinjtë janë e ardhmja e këtij vendi, ne mendojmë që ky brez do të jetë brezi që do të drejtojë partitë tona politike, ekzekutivin dhe parlamentin. Politika e moderuar kërkon dhe të rinj të moderuar, të ndarë nga e kaluara, pa komplekse për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe me vullnet e dëshirë për të vendosur prioritetet, shqetësimet e komunitetit mbi ndasitë e tyre. Ajo që zbulojmë në punën me të rinjtë është që përtej ngjyrimit politik, të rinjtë kanë shumë gjëra të përbashkëta, e shijojnë ndërveprimin me njëri-tjetrin, punën në grupe dhe identifikimin e prioriteteve dhe pse jo një ditë dhe marrjen e një nisme të përbashkët”, thotë Sokol Haxhiu, Drejtor i WFD-së.

Për eksperten e komunikimit Edlira Gjoni, pas kapërcimit të sfidës së parë, për të bërë bashkë të rinj përfaqësues të forcave të ndryshme politike dhe thyer akullin, të gjitha energjitë fokusohen te aftësimi i këtyre të rinjve për të sjellë një qasje të ndryshme në politikë.

“Në fillim duket e vështirë që të rinj të jenë të interesuar për platforma të tilla trajnimi, ku ka marrëdhënie ndërpartiake, të rinj që vijnë nga forca të ndryshme politike, por përvoja na ka treguar se sapo vendosen në një sallë dhe kalojnë disa orë së bashku të udhëzuar e të strukturuar për të parë se si mund të bëhen debatet politike dhe modelet e reja të lidershipit, duke e parë kundërshtarin politik si partner.  Ata do të bëhen nesër politikanë dhe lidera me një mendësi tjetër, kulturë të re politike, më mendjehapur ndaj grupeve të tjera politike. Dhe këtë duam të arrijmë të krijojmë një kulturë të re politike të lidershipit të të rinjve në Shqipëri, ndërpartiake dhe të pranojnë mendimin ndryshe pa e vrarë që në ide”, shprehet Gjoni.

Pjesëmarrësit u trajnuan dhe punuan bashkarisht duke diskutuar mbi aspekte të rëndësishme të debatit politik, lidershipit, karakteristikave të tij, si dhe mbi problematikat dhe përparësitë e të rinjve në Durrës. Ata e vlerësojnë këtë përvojë si mjaft të rëndësishme për të shtuar dijet, por dhe njohjen e bashkëpunimin për çështje me interes të përbashkët me të rinjtë anëtarë të forcave të tjera politike.                                                        

Markela Bërdufi, LRI Durrës: “Për ne është goxha e rëndësishme që të jemi këtu për të shkëmbyer ide me anëtarë të tjerë të forumeve politike po që në fund të fundit janë bashkëmoshatarët tanë. Janë miqtë tanë dhe duhet shumë që të shkëmbejmë idetë që debati të na çojë përpara.”

Xhoen Xhoj, FRESSH Durrës: “Më pëlqen shumë ideja e këtij trajnimi se si kemi mundësi të flasim me bashkëmoshatarët tanë dhe të diskutojmë idetë me njëri-tjetrin, të njohim më mirë njëri-tjetrin dhe idetë e tyre pasi ata vijnë nga forca të ndryshme politike nga ajo e imja.”

Harvi Xhaferraj nga FRPD: “Ndjehem i vlerësuar që jemi thirrur në këtë trajnim si FRPD pasi jo vetëm që është shumë I rëndësishëm për angazhimin e të rinjve dhe të kuptuarit e plotë të fjalës lidership, po dhe një eksperiencë që të gjithë ne të rinjve këtu, pavarësisht forcës politike do të na vlejë shumë”.

Në ditët e aktivitetit, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, deputeti i Durrësit Denis Deliu dhe ish-deputetja Floida Kërpaçi sollën përvojën e tyre në politikë dhe diskutuan me të rinjtë mbi problemet dhe nevojat e tyre për mbështetje konkrete, informacion dhe buxhete transparente për çështjet rinore. Gjatë aktivitetit u theksua se pjesëmarrja dhe përfaqësimi i të rinjve në politikë është mjaft i rëndësishëm për demokracinë në vend, si dhe për përgatitjen e drejtuesve të ardhshëm politikë me një mendësi dhe qasje të re të të bërit politikë dhe për zgjidhjen e problematikave rinore dhe çështjeve të tjera në komunitetet e tyre.