Nga Gladiola Busulla

20 janar 2014 – Zgjimi i së hënës ishte paksa “ekzaltues” këtë fillimjave, për shkak të goditjeve harmonioze sizmike që trokisnin pothuajse çdo 15 minuta. E ndërkaq njerëzve iu prish terezia, u ndjenë të cënuar e të tronditur në monotoninë e tyre, madje disa filluan të trillonin në histeri kolektive se shumë shpejt, mund t’ia behte dhe gjëma. Para fakteve të tilla njeriu ka dy zgjedhje: të besojë fort tek Zoti ose të dyshojë përgjithnjë në ekzistencën e tij. Ndoshta po na vë në provë, a ndoshta po qesh me planet tona.

Po i rikthehem pasqyrimit të kësaj dukurie, nga pikëpamja shkencore. Në gjeofizikë, tërmet (nga latinishtja terrae motus, do të thotë "lëvizje e tokës"), i njohur gjithashtu si të dridhura (nga Tellus Latine, perëndesha romake e Tokës); vibracionet apo luhatjet janë të papritura, të shpejta dhe pak a shumë të fuqishme, të shkaktuara nga lëvizja e papritur e një masë shkëmbore nëntokësore ose nga lëvizje të tjera vullkanike.

 Tërmeti është fenomeni natyror më i fuqishëm në tokë; energjia që mund të çlirohet brenda atij që në literaturë  përkufizohet “moment sizmik” tejkalon vetëm në disa sekonda, energjinë e mijëra bombave atomike. Pra, një tërmet është në gjendje për të lëvizur në pak sekonda disa vëllime të qindra kilometrave kub shkëmb.

Si rezultat tërmetet mund të shkaktojnë dëme të rënda dhe humbje të jetëve të tëra njerëzore, nëpërmjet një sërë agjentësh destruktivë , por primare mbetet lëvizja e dhunshme e tokës, e shoqëruar me efekte të tilla si: përmbytje, rrëshqitje të tokës, lëngëzim i tokës, zjarret, derdhjet e materialeve të rrezikshme. Nëse një tërmet ndodh nën sipërfaqen e oqeanit, mbi sipërfaqe detare, ose në afërsi të bregdetit mund të gjenerojë tsunami.

Një tërmet i përmasave të tilla, si ai i Japonisë më 11 Mars 2011 mund të arrijë të spostojë në disa centimetra Polin e Veriut, tashmë (ai ka lëvizur rreth 10 cm) për shkak të elasticitetit të kores së Tokës. Ndër  ngjarjet më tragjike të historisë së njerëzimit, që ka shënuar një numër të paimagjinueshëm vdekjesh është regjistruar tërmeti në Shaanxi (Kinë) në 1556, me magnitudë 8.3, për shkak të të cilit kanë vdekur 830,000 njerëz.

 Por magnitudën e këtij rekordi të zi, e theu  në vitin 1960, tërmeti i Valdivias (Kili) e cila arriti 9.5.

Statistika të kobshme. Njeriu nuk mund të mbrohet e as të minimizojë pasojat.

Sipas këndvështrimit tim, brenda çdo fenomeni natyror dekodifikohet  qartë mesazhi “ se nuk jemi të përjetshëm, por shumë të vegjël, burracakë e inferiorë përkarshi natyrës e universit”. Në këtë gazavaj, deduktoj se si këto dridhje “të  pafajshme” shkëmbinjsh nëntokësorë,  që mund të zgjasin sa një pulitje sysh, mund të shkërmoqin të gjitha ëndrrat e frymëthithjet tona.

Ndaj s’më mbetet tjetër, veçse të belbëzoj urimin eufemistik (“Ardhsh i bardhë “) të nënës sime, të cilin e ka dëgjuar nga gjyshja ime, e cila e kish mësuar nga nëna e saj, e kështu tejzgjatur në një zinxhir nënash e gjyshes që mbrapsht numëron deri në lashtësi.