Sapir Berman është bërë e njohur në Izrael duke qenë se është shndërruar në transgjinoren e parë femër që arbitron një ndeshje futbolli të nivelit profesionist.

Ndeshja e saj e parë ishte ajo mes Beitar Jerusalem dhe Hapoel Haifa në muajin maj të vitit 2021, ndërsa së fundmi në një serial të Warner Bros Discovery ajo rrëfen dashurinë e saj për sportin dhe mënyrën si e pritën njerëzit në momentin që shfaqi veten e saj të vërtetë.

“Në fëmijërinë time kur isha 8, 9 apo 10 vjeç e gjitha jeta ime ishte rreth futbollit. Por, kur e kuptova se nuk kisha mjaftueshëm talent për të qenë profesionist në këtë sport, atëherë vendosa të merrja rolin e arbitrit dhe në këtë formë mund të isha pjesë e futbollit. Unë e njihja veten time të vërtetë, por e fshihja atë nga bota.

Në shtëpinë time isha vetvetja, një person që dashuronte futbollin dhe që ndihej femër. Kur u rrita, në moshën 15 apo 16-vjeçare dhe kisha paratë e mia nisa të blija rroba për femra dhe lyeja gishtat me manikyr.

Në fakt, kisha frika nga gjëra të tilla, por duhet t’i bëja për veten time. Unë kisha mentalitetin se do të arrija tek ëndrrat e mia në mënyrën më të mirë të mundshme dhe duke qenë e vërtetë. Kur bëra publik faktin se isha transgjinore dhe se ndihesha një femër, fola me vëllain dhe po diskutoja se si do të pritej diçka e tillë në publik. Ishte një frikë e jashtëzakonshme por mora një mbështetje të madhe nga shoqata e arbitrave dhe Federata e Izraelit, për mua ishte si të “prekja qiellin”.

Edhe në fushë më pritën mirë dhe me shumë ngrohtësi, isha gati për të dhënë më të mirën dhe më në fund duke u ndjerë e sigurtë në gjininë time. Tani trajtohem me respekt dhe futbollistët më drejtohen gjithashtu në gjininë e duhur. Edhe nëse ngatërrohen në një moment, menjëherë kërkojnë falje dhe më pas nisin të ankohen për ndonjë episod.

Tani dua të martohem dhe të kem familjen time ndërsa në aspektin profesional ëndrra ime është të arbitroj në Champions League, Kampionatin Europian dhe Kupën e Botës. Një jetë kemi”, mbyll rrëfimin Sapir Berman.