DURRËS, 4 shtator 2014 – Punonjësit durrsakë të medieve u gëzuan së tepërmi kur kolegu i tyre Aleks Kalemasi u emërua edhe zëdhënës i shoqërisë publike Ujësjellës Kanalizime Durrës sha. Thjesht se jo vetëm është gazetar i zoti, por edhe korrekt në “furnizimin” me informacione, ashtu si dhe homologu i tij Dorian Agolli në bashkinë e Durrësit. Më mirë e ka zgjidhur problemin Drejtoria e Policisë së Qarkut me një zëdhënëse, si Ornelë Çako, që ia ka marrë shumë mirë dorën punës. Spitali rajonal i Durrësit ka faqe në internet dhe llogari në FB, ku punon me pasion zj. Eridë Gjermeni.
Megjithatë emërimi i zëdhënësve nuk zgjidh gjithçka në transparencën ndaj publikut. Zëdhënësit, në fund të fundit, do të japin atë informacion që i intereson “parisë” së shoqërisë, njësisë vendore, institucionit: kryesisht lajme pozitive për drejtuesit, vizita ministrash etj. Ka dhe më keq: nuk japin fare informacion.
Por nga ana tjetër nuk kanë zëdhënës në organikë të gjitha institucionet: Prefekti i Qarkut, Hekurudha Shqiptare sha, Shëndetësia, Bujqësia, Bordi i Kullimit, Autoriteti i Ushqimit, Inspektoratet e ndryshme, Zyra e Punës, Shërbimi Social, Mjedisi, Arsimi, Thesari, INSTAT-i, Kapitaneria, Administrata Detare, Regjistri Detar, Higjiena, Kujdesi Parësor, dogana, Muzeu Arkeologjik, ALUIZNI, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme, Prokuroria, Gjykatat e Faktit dhe Apelit, Shërbimi i Provës, njësi të qeverisjes vendore, etj.
Këto institucione publike aktivizojnë për njoftime punonjës të administratës ose vet drejtuesit komunikojnë personalisht; ndonjë ka llogari në FB, si fjala vjen, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, gjë që duhet ta bëjnë të gjithë që nuk kanë mjete financiare për të mbajtur faqe interneti.
Ndonëse jemi në epokën e teknologjisë së informacionit dhe ka një ligj që detyron për informim të publikut, është shumë e vështirë të sigurosh informacione, qoftë “asnjanëse” (për shembull, statistika).
Nuk është normale që për ditë emergjencash (për shembull, përmbytje, fatkeqësi të tjera natyrore) drejtues institucionesh të thonë: e kam të ndaluar (!) të bisedoj me mediet, shkoni te Prefekti, Ministri, Drejtoria e Përgjithshme në Tiranë.
/Thanas Mustaqi agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





