Grupi Parlamentar i PD përmes Kryetarit të Grupit Gazment Bardhit ka kërkuar një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama për transportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Kinës dhe Tajlandës.

Në kërkesë evidentohet se rastet e përsëritura të konstatuara të eksportit të mbetjeve toksike ngrenë dyshime serioze se Shqipëria është përfshirë në një tregti të paligjshme ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme.

Grupit Parlamentar të  PD, kjo tregon se nuk kemi të bëjmë me një ngjarje të izoluar, por me një aktivitet të mirëfilltë kriminal, që përfshinë përgjegjësi për veprime ta paligjshme apo mosveprime të disa autoriteteve shtetërore në varësinë e Këshillit të Ministrave, si dhe një mungesë neglizhence kriminale të mbikëqyrjes së aktivitetit të paligjshëm të disa subjekteve tregtare private, të identifikuara deri më tani kompanitë “Kurum International” sh.a. dhe “Sokolaj” sh.p.k..

“Për këtë shkak, vetëm për dy ngarkesat e identifikuara rezulton se në Shqipëri do të rikthehet një sasi në minimum prej rreth 1600 ton mbetjesh toksike, të patrajtuara dhe të papërpunuara, që rrezikojnë të kanosin jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe pa dyshim sigurinë kombëtare.” – thuhet në kërkesën e dorëzuar nga grupi parlamentar i PD.

Gjithashtu, në kërkesë theksohet se nga të dhënat e deri më tanishme rezulton dyshimi i arsyeshëm se është cenuar interesi publik, për shkak se:

“Kompania “Kurum International” sh.a. ka shkelur ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon, ndërkohë që kompania “Sokolaj” sh.p.k. ka shkelur ligjin lidhur me transportin e mbetjeve toksike të rrezikshme.

Autoritetet përgjegjëse kanë shkelur ligjin duke mosvepruar ndaj këtyre shoqërive private për përpunimin apo transportin e mbetjeve toksike, si dhe duke lejuar eksportin e tyre jashtë territorit në shkelje të ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Qeveria dhe autoritetet përgjegjëse heshtin prej 3 javësh dhe nuk veprojnë duke mos bërë asnjë transparencë mbi këtë çështje, ndërkohë që skandali ka marrë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Duhet menjëherë dhe pa asnjë vonesë që Qeveria Shqiptare të informojë Kuvendin e Shqipërisë, dhe përmes tij edhe opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë, kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri, si janë trajtuar, cfarë veprimesh, kontrollesh apo aktesh mbikëqyrëse kanë ndërmarrë institucionet, si janë lejuar të eksportohen pa lejet përkatëse nga Porti i Durrësit, kush i ka lejuar të futen dhe të dalin prej territorit të Republikës së Shqipërisë, nga dhe përmes Portit të Durrësit, etj. Në këtë rast mungesa e transparencës nga ana e Qeverisë shton edhe më shumë pasigurinë për jetën e qytetarëve shqiptarë dhe mbi të gjitha dyshimet për një aktivitet kriminal me leje shtetërore, që rrezikon sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s.” – mbyllet kërkesa për interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi.