Ndryshimet në ligjin e miratuar në komisionin parlamentar për transportin ndërqytetës parashikojnë vetëm udhëtimin me autobus, duke hequr furgonët 8+1. Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, tha se numri i linjave të autobusëve do të reduktohet për të ulur shpenzimet e operatorëve.
Gazeta “Shqiptarja.com” shkruan se aktualisht janë 1087 autobusë dhe pritet që të reduktohen në 800 të tillë, por asnjë operator nuk do të dalë nga tregu. Sipas Haxhinastos, është parashikuar që operatorët të futen në shoqëri bashkiake si aksionerë mbi bazën e automjeteve që kanë investuar dhe të gjithë drejtuesit e autobusëve do të pajisen me certifikatën e aftësisë profesionale.
Momentalisht janë 467 linja kryesore dhe do të reduktohen në 221. Ndërsa 121 linja transporti brenda të njëjtit qark do të reduktohen në 104 të tilla. Gjithashtu, autobusët që kryejnë udhëtime më shumë se 8 orë, detyrimisht do të jenë me dy drejtues.





