Shoqata e Transportit publik nis punën të hënën, pas kërcënimeve që kryebashkiaku Erion Veliaj u bëri atyre se “nëse nuk nisin punën do iu hiqet licenca, pasi nuk mund të mbajnë peng qytetin”.
Në marrëveshjen e arritur me Bashkisë Tiranë dhe Shoqatës së Transportit është dakordësuar që fatorinot dhe shoferët e autobusëve nuk do të mbajnë më përgjegjësi për respektimin e masave anticovid, ku edhe mund të gjobiteshin në rast të shkeljeve të tyre nga pasagjerët. Me marrëveshjen e arritur tashmë përgjegjësia është personale dhe çdo pasagjer duhet të jetë i pajisur me maskë dhe të ruajë distancën fizike, në të kundërt do të gjobitet.
Në protokollin e sigurisë në transportin qytetas dhe rrethqytetas ka ndryshuar edhe pika ku thuhet se operatorët e transportit nuk janë më përgjegjës për mosrespektimin e masave anticovid nga ana e pasagjerëve apo dhe nga ana e stafit, por përgjegjësia është personale. Në protestat e tyre shoqatat kanë kërkuar që të ndryshohet protokolli, pasi ngarkonte më përgjegjësi fatorinon dhe shoferin që të kontrollonin pasagjerët për maskat, dorezat dhe për distancën. Kjo kërkesë e tyre tashmë është realizuar.
Çdo pjesëtar stafi dhe pasagjer është i detyruar të mbajë maska gjatë gjithë udhëtimit dhe të këshillohen të ruajnë distancën.
“Në stacionet e qëndrimit udhëtarët janë të detyruar të përdorin maska gjatë pritjes së autobusit ndërsa personeli i transportit publik qytetas/rrethqytetas (shoferë, faturino, kontrollorë) do të jenë të detyruar të përdorin maska. Për të maksimalizuar sigurinë ndaj COVID-19, edhe punonjësit e shërbimit të operatorëve si: kontrollor, dispecer, si dhe stafe të tjera plotësuese do të jenë të pajisur me maskë mbrojtëse në momentin që janë prezent në mjet gjatë kryerjes së shërbimit”, thuhet në protokoll.
Gjithashtu mjetet e operimit do të dezinfektohen në mënyrë periodike në ambientet e operatorit transportues nga stafi i tij dhe mjetet e operimit në transportin qytetës/rrethqytetas për personelin e shërbimit (shoferë, faturino, kontrollorë) do të pajisen me dezinfektantë me bazë alkooli.
Gjatë udhëtimit duhet të bëhet e mundur ajrimi i ambienteve të brendshme të mjetit, përgjatë gjithë kohës së udhëtimit, nëpërmjet sistemeve të ajrimit të vendosura në pjesën e sipërme të mjetit ose duke mbajtur hapur pjesët strukturore të dritareve që e kanë këtë mundësi në rastet kur mjeti është i pajisur me dritare ose me sisteme ajrimi.





