Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për Albi Mecinin dhe dy shokët e tij Ervis Cukali e Arafat Manërkolli, të cilët dyshohen se do të transportonin një sasi prej 21 kg eksploziv në vitin 2023.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Fier, bëhet e ditur se shtetasi A.M u kap nga policia gjyqësore në flagrancë në fshatin Vajkan, të qarkut Fier, ku kishte lënë mjetin e tij pranë lëndës eksplozive, në një rrugë dytësore pranë rrethrrotullimit përballë qëndrës “Viva” në rrugën për tek vendi i quajtur “Safari”.
Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tjerë ishin duke u afruar pranë tij me një mjet tjetër pa targa, i trafikuar dhe me shasi të falsifikuar, brenda të cilës u sekuestruan 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.
Nga hetimet rezultoi se të tre të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetërin, më datë 28.09.2023 kanë poseduar dhe trasportuar lëndën eksplozive prej 21 kilogram e 265 gram në qytetin e Fierit.
Të pandehurit, janë të dënuar më parë dhe dyshohet se janë përfshirë në ngjarje të rënda. Pas kryerjes së veprime të plota, organi i akuzës ka arritur të provojë se të pandehurit kanë konsumuar plotësisht veprat penale për të cilën akuzohet dhe për këtë shkak ka përpiluar kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq.