MILANO, 19 mars 2013 – 75 persona kanë përfunduar në pranga në një operacion të vënë në jetë nga policia italiane. Sipas bën të ditur ANSA, të gjithë të ndaluarit akuzohen si anëtarë të një organizate kriminale, për krime kundër personit, trafik droge dhe armëmbajtje pa leje.
Anëtarët e bandës ishin të gjithë me origjinë nga Amerika Latine dhe në mesin e të ndaluarve 18 ishin minorenë. Banda ishte e specializuar në trafikun e lëndëve narkotike, veçanërisht kokainës, për llogari të karteleve të drogës nga kontinënti latinoamerikan.
Organizata kriminale e sillte drogën në Itali përmes një metode mjaft të veçantë dhe shumë të kamufluar. Për trafikimin e drogës përdoreshin qen të përmasave të mëdha, si San Bernardo, Labrador etj. të cilët, para udhëtimit, i nënshtroheshin ndërhyrjeve kirugjikale. Në barkun e qenve vendoseshin rreth 1,2 kg kokainë dhe pasi droga mbërrinte në destinacion, qentë vriteshin dhe më pas rikuperohej lënda narkotike nga stomaku i tyre.
Kokaina mbulohej me plasmas dhe më pas me letër karboni, për të mos u zbuluar nga rrezet X gjatë kontrolleve policore. Me këtë metodë grupi dyshohet se ka arritur të realizojë 48 udhëtime. Vetëm njëri nga qentë që përdorej për trafikimin e drogës mundi të shpëtohej i gjallë nga karabinierët.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/