Dy persona janë vënë në pranga në Vlorë, nën akuzat për transport të paligjshëm të emigrantëve dhe drejtim automjeti në gjendje të dehur.

Ndërkohë një shtetas i tretë është shpallur në kërkim për dhunë të ushtruar ndaj të dashurës.

Njoftimi i policisë: 

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të DVP Vlorë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim T. H., 26 vjeç, banues në Lushnjë, pasi nga hetimet e kryera në drejtimin e Prokurorisë, ka rezultuar se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasin A. H (të arrestuar në datën 23.03.2023), për të siguruar transportin e 4 emigrantëve, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. C., 40 vjeç, banues në Vlorë, pasi teksa drejtonte automjetin, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, për kryerjen e testit të alkoolit. Pas kryerjes së këtij testi, ka rezultuar se 40-vjeçari e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi D. C., 25 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një shtetaseje (e dashura e tij).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.