Bubakar Traore ishte shpëtimtari i Teutës. Edhe pse në Durrës prisnin fitoren në të parën ndeshje në kampionat, për 2019- ën, të paktën goli i shënuar prej afrikanit dha barazimin dhe shmangu humbjen.

Mesfushori arriti të gjente rrugën e rrjetës për të parën herë në këtë sezon, ndaj nuk kishte si të mos ishte i lumtur. Ai mendon se skuadra meritonte më shumë.

“Jam shumë i lumtur për golin dhe kjo është e natyrshme, pasi është i pari për mua me Teutën. Një ndjesi e veçantë. Kemi punuar vazhdimisht dhe erdhëm në këtë ndeshje për tri pikët, por nuk ia dolëm, dhe pse e meritonim diçka më shumë. Zhvilluam një pjesë të dytë të mirë, dominuam në fushë, por ndoshta nuk kishim fatin me vete. Goli më kënaq, por jo rezultati”, tha 21-vjeçari.