36 persona u arrestuan në qytetin francez të Lilës pas përleshjes mes policisë dhe tifozëve. Policia franceze tha se arrestimet u kryen përgjatë orëve të vona të së mërkurës, ndërsa 16 persona janë shtruar në spital me plagë të ndryshme.
Të mërkurën në mbrëmje, policia franceze u përball me qindra tifozë anglezë që ndezën fishekzjarrë në rrugët e Lilës. Sipas medieve britanike, policia përdori gazin lotsjellës kundër tifozëve, të cilët ishin kryesisht anglezë. Më herët, tifozë të Anglisë dhe Rusisë u ndaluan nga policia pas përleshjeve mes tyre.
Pritet reagimi i UEFA-s, e cila ka kërcënuar me përjashtimin e Anglisë nga kampionati nëse tifozët e saj shkaktonin sërish probleme. Gjithsesi, UEFA merr masa kur trazirat ndodhin në stadiume, pasi vetëm ai është juridiksioni i saj. Për këtë arsye, sytë janë përqendruar te ndeshja mes Uellsit dhe Anglisë, që luhet sot në orën 15:00.
Autoritet franceze po përpiqen në maksimum të ndalojnë dhunën në këtë kampionat Europian. Në shenjë proteste ndaj arrestimit të disa tifozëve rusë në Marsejë, Ministria e Jashtme e Rusisë thirri dje ambasadorin francez në Moskë për t’i kërkuar llogari në lidhje me këtë çështje.
Zyrtarët e Ministrisë theksuan se nëse Parisi zyrtar do të vijojë me veprime të tilla antiruse, atëherë marrëdhëniet dy palëshe mund të vendosen në rrezik.





