Tension dhe kaos janë shënuar në qendrën për emigrantët në Gjadër, ku aktualisht janë sistemuar 40 shtetas të huaj të transferuar nga Italia. Ngjarja është raportuar fillimisht nga media italiane Tg4, ndërsa pamjet dhe informacionet kanë rikthyer në qendër të debatit trajtimin e emigrantëve në këtë proces bashkëpunimi mes dy vendeve.

Bëhet fjalë për të njëjtët emigrantë për të cilët e majta italiane kishte reaguar më herët me zemërim, pas përdorimit të prangave plastike gjatë zbritjes së tyre nga anija Libra në portin e Shëngjinit.

Sipas raportimeve, rreth njëzet emigrantë kanë shkaktuar trazira brenda ambienteve të qendrës, duke dëmtuar mobiliet, thyer xhamat e dritareve dhe shkatërruar dyshekët. Situata ka dalë jashtë kontrollit për disa orë dhe ka kërkuar ndërhyrjen e stafit të sigurisë për të rikthyer rendin.

Më shqetësues mbeten rastet e vetëlëndimit – tre emigrantë kanë përdorur mjete të mprehta për t’i shkaktuar vetes plagë. Ata janë trajtuar menjëherë nga personeli mjekësor i qendrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, mësohet se një prej emigrantëve të sistemuar në Gjadër, i cili kishte përfituar anulimin e urdhrit për dëbim, është rikthyer tashmë në Itali.