SHKUP, 01 mars 2013 – Kaos i vërtetë në rrugët e kryeqytetit maqedonas, Shkup, pak minuta pas orës 16. Dhjetëra qytetarë të lënduar, shumë vetura e objekte të thyera. Protestat e tifozëve maqedonas kundër emërimit të Talat Xhaferrit si ministër i mbrojtjes u kthyen në incident masiv ndëretnik, raporton Alsat M.

Në një protestë të paralajmëruar nëpërmjet rrjetit social Facebook, qindra të rinj nga grupe të ndryshme tifozësh dolën sot në rrugë në protestë veçanërisht përpara Qeverisë. Thirrjet e tyre kundër Talat Xhaferrit degraduan në sulme me gurë, ndërsa pjesë nga turma e tyre vazhduan rrugëtimin zinxhir në sulmimin e qytetarëve.

Sipas informatave të para jozyrtare, janë rrahur dhjetëra shqiptarë, kalimtarë të rastit. Pas ndalimit pranë zonës së kafeterive në bregun e lumit Vardar, të rinjtë tifozë kanë sulmuar rëndë edhe një qytetar shqiptar pranë restorantit ‘Anja’. Mësohet se pas rrahjes së rëndë banori është dërguar me karrocë në Spitalin e Qytetit. Policia për momentin thotë se ka njohuri për 3 qytetar të lënduar 5 policë dhe shumë vetura të thyera që nuk është bilanci përfundimtar i këtyre trazirave. 

Protesta plot thirrje, ofendime, sharje dhe sulme me gurë ka vazhduar gjithashtu deri para Parlamentit. Edhe pse protesta ishte e paralajmëruar në rrjetin social për sot, policia u duk e pa përgatitur në frenimin e dhunës. Prania e policisë mbetet ende e lartë, veçanërisht pas alarmimit të situatës kur grupi i tifozëve tentoi të hynte në lagjet shqiptare, konkretisht në Çarshi.

Nga MPB konfirmojnë serinë e incidenteve, dhe theksojnë se vazhdojnë gjurmimin e autorëve të dhunës. Siç mëson Alsat M ka edhe të arrestuar kryesisht në lagjen Aerodrom të Shkupit dhe qendrën e qytetit. Gjatë protestës huliganët maqedonas kanë djegur edhe flamurin shqiptar.

Huliganët maqedonas kanë rrahur brutalisht shumë të rinj shqiptarë në afërsi të një stacioni urban të autobusëve në Shkup. Në këtë incident të dhunshëm kanë pësuar nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, të cilët janë goditur me sende të forta dhe grushte nga huliganët maqedonas, informon agjencia e lajmeve INA. 

Ramazan Iseni, 13 vjeçar është njëri nga fëmijët që ka marrë në pjesë të trupit dhe në kokë. “Na kanë rrahur brutalisht, pa kursyer as fëmijë e gratë që ishin duke pritur aty autobusin”, ka theksuar për INA, Ramazani.

Nxënësit theksojnë se kanë shpëtuar falë shoferit të autobusit urban, i cili është shqiptarë dhe ka arritur që të mbyll me shpejtësi dyert dhe të largohet nga stacioni. “Ai na shpëtoi duke mbyllur dyert, mirëpo huliganët kanë gjuajtur me gurë dhe shishe autobusin, duke rrezikuar jetën tonë. Ne kemi parë edhe policë me uniformë, por që kanë hezituar për të reaguar dhe për të larguar huliganët e tërbuar. Këto incidente më nuk tolerohen. Ose të veprojnë ose nuk ka hapësirë për të toleruar më këso tërbime kundër nesh shqiptarëve”, ka theksuar një nxënës shqiptarë, i shkollës “Zef Lush Marku”, i cili gjithashtu ka përjetuar sulmin brutal të huliganëve maqedonas.