TRIKALA, 23 mars 2013 – Pas shumë orë kërkimesh, policia ka mundur të kapë 4 nga 11 të arratisurit në burgun e Trikalas në Greqi, ndërkohë që thuhet se kapja e të tjerëve është vetëm çështje orësh.

Situata gjatë natës në burg ka qenë tepër e vështirë, pasi një grup i armatosur ka sulmuar nga jashtë, ndërkohë që të shtëna janë dëgjuar edhe nga brenda burgut, për pasojë dy prej policëve mbetën të plagosur dhe u dërguan në Greqi.

Gjithçka filloi një natë më parë, kur dy furgona iu afruan burgut dhe personat që gjendeshin në to, qëlluan mbi oficerët e kullës së vrojtimit. Nga ana tjetër, një grup të dënuarish nga krahu C, ku ndodhen të burgosurit shqiptarë, kanë prerë me sharrë hekurat e qelisë dhe kanë dalë në tarracë duke qëlluar me armë.

Sipas korrespondentes së ‘Neës 24′ në Athinë, Anila Jole, nuk dihet ende sesi janë futur armët në mjediset e burgut, por sipas disa informacioneve, kallashnikovët mund të jenë futur në burg, ditën e tentativës për arratisje të të dënuarit Panajotis Vlastos, në 24 shkurt.

Situata është normalizuar disi në orët e para të mëngjesit nga ndërhyrja e forcave EKAM nga Athina e Selaniku, dhe ka filluar inspektimi për numërimin e të dënuarve në burg.

Zyrtari i lartë i Ministrisë së Drejtësisë u shpreh se “jemi sulmuar nga krimi i organizuar” dhe tha se i dënuari Panajotis Vlastos është burgosur në krahun A e burgut, kur u pyet nëse ai ishte në mesin e të burgosurve të cilët u përpoqën t’i shpëtojnë.

Kjo ngjarje ndodh vetëm një muaj pas tentativës për arratisje me helikopter po nga ky burg, e të dënuarit Panajotis Vlastos, kur helikopteri që do ta merrte, u qëllua nga rojet e burgut dhe nuk arriti të ngrihej, ndërsa i dënuari ra nga shkallët e tij. Vlerësimet e policisë flasin edhe për një ”hakmarrje” nga bashkëpunëtorët e Vlastos, që me aktin e natës së kaluar u përpoqën për një arratisje në masë.