Në Francë, çdo ngjarje e madhe publike – qoftë një fitore sportive, një koncert apo një protestë – shpesh përfundon me përplasje të dhunshme, vandalizëm dhe arrestime masive. Pas fitores historike të Paris Saint-Germain, PSG, ndaj Inter në finalen e Champions League më 31 maj 2025, dhjetëra qytete franceze, përfshirë Parisin, u përfshinë nga trazirat.
Fitorja historike u shndërrua në një nga netët më të dhunshme të viteve të fundit në Francë.
Dy të vdekur, mbi 200 të plagosur – përfshirë 30 oficerë policie, 560 të ndaluar (320 të shndërruar në arrestime) dhe rreth 700 zjarre.
Ky është bilanci i dhënë në agimin e ditës nga Ministria e Brendshme, e cila përshkruan një natë të paparë lufte guerile urbane, me trazira që shpërthyen në disa qytete në të gjithë vendin.
Në Champs-Élysées, ku mijëra tifozë ishin mbledhur të shtunën në mbrëmje, festa u shndërrua në kaos: u hodhën barrikada të improvizuara, fishekzjarre dhe flakë tymi.
Policia u përgjigj me gaz lotsjellës, granata tymuese dhe topa uji, por nuk ishin në gjendje të përmbanin skenën e shkatërrimit: dritare të thyera, dyqane të plaçkitura, kazanë të djegur.
Imazhet tregojnë dhunë ekstreme dhe të pakontrolluar.
Në kryeqytet, një djalë 23-vjeçar vdiq pasi u godit nga një makinë që po ecte me shpejtësi, ndoshta e drejtuar nga tifozë euforikë.
Por dhuna është përhapur edhe jashtë Parisit.
Në Nouvelle-Aquitaine, një 17 vjeçar u godit me thikë për vdekje, ndoshta gjatë një përleshjeje që shpërtheu gjatë festimeve.
Në Grenoble, një makinë u përplas me një turmë, duke plagosur katër persona, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Në Normandi, një oficer policie u shtrua në spital në gjendje kome të shkaktuar nga mjekët pasi u godit nga një fishekzjarr.
“Ka pasur dy vdekje, vendi është në zi”, shtoi kreu i shtetit Emmanuel Macron, përpara se t’i bënte homazhe presidentit të klubit Nasser Al-Khelaïfi, trajnerit Luis Enrique dhe të gjithë ekipit.
Macron falënderoi lojtarët për dënimin e shpejtë të trazirave.
“Këto akte të izoluara janë në kundërshtim me vlerat e klubit dhe në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë shumicën dërrmuese të mbështetësve tanë“, shkroi PSG.
Sipas Nicolas Hourcade, një ekspert tifozësh “dëshmitë tregojnë se individët më të dhunshëm as nuk e ndiqnin ndeshjen, por u përpoqën të përfitonin nga turma për t’u përballur me policinë ose për të plaçkitur dyqanet”.
Ai shton se “Ultrasit parizienë u kishin kërkuar tifozëve të festonin pa krijuar rrëmujë dhe, për aq sa di unë, ata e respektuan këtë udhëzim. Megjithatë, apeli nuk u mor parasysh nga të rinjtë e tjerë”.
Festa në Champs-Élysées
Pavarësisht natës së tensionuar, prefektura e Parisit autorizoi dje pasdite, 1 qershor, paradën në Champs-Élysées të lojtarëve, të shoqëruar nga stafi, menaxherët dhe familjet.
U caktua një kapacitet maksimal prej 110 mijë personash, në bulevard që festonte vetëm në njërën anë, ndërsa ana tjetër ruhej nga policia kundrejt trazirave.
Dy autobusët me çati të hapur që transportonin idhujt e rinj të kryeqytetit parakaluan përmes turmës brohoritëse nën melodinë “Ne jemi kampionët”, përpara se të vazhdonin festimin në Elysée dhe më pas në Parc des Princes.
Në tribuna, ish-lojtarë, personalitete të futbollit, personalitete nga bota e artistëve dhe autoriteteve, me përjashtim të kryebashkiakes Anne Hidalgo, e cila është në marrëdhënie të tensionuara me pronësinë katariane të klubit pas mosmarrëveshjeve mbi të ardhmen e stadiumit në kryeqytet që PSG do të donte të blinte.
Prefektura kishte mobilizuar mbi 5 mijë agjentë, përfshirë policinë dhe xhandarmërinë.
Por kjo u pa që nuk mjaftoi.
Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau hodhi një vijë të qartë ndarëse midis “tifozëve të vërtetë të PSG-së, entuziastë për ndeshjen e shkëlqyer të ekipit të tyre” dhe “barbarëve që erdhën vetëm për të kryer krime dhe për të provokuar policinë”.
Kush janë “barbarët” që përplasen me policinë?
Termi “barbarë”, i përdorur nga ministri i Brendshëm Bruno Retailleau, nxiti një debat të nxehtë në shoqërinë franceze.
Shumë nga ata që marrin pjesë në aktet e vandalizmit janë të rinj të lindur në Francë, por me prejardhje nga Afrika e Veriut apo Afrika Subsahariane.
Megjithatë, siç ka deklaruar edhe ish-ministri Gérald Darmanin, në trazira marrin pjesë edhe të rinj me emra si Kevin dhe Mattéo, që vijnë nga familje “franceze të bardha”.
Trazirat e Vitit të Ri: një “traditë” e rrezikshme
Gjatë natës së Vitit të Ri 2025, u dogjën 984 automjete në gjithë Francën, një rritje krahasuar me vitin 2024 (745 automjete).
Rajoni i Strasburgut vazhdon të mbetet një nga pikat më të nxehta për këto akte.
Nga Nahel Merzouk te reforma e pensioneve: shkëndijat e protestës
Rasti i Nahel Merzouk në qershor 2023 ndezi një valë të re trazirash, duke rikthyer në vëmendje tensionet mes policisë dhe banlieue-ve (lagjet periferike me popullatë të përzier etnike).
Protesta të ngjashme janë parë edhe gjatë reformave të pensioneve apo paradave të 1 Majit.
Bruno Retailleau dhe politika e “rendit absolut”
Ministri aktual i Brendshëm, Bruno Retailleau, është bërë zëri i ashpërsisë në politikën franceze.
Retailleau u akuzua se nuk arriti të parandalonte veprimin e grupeve të kaserëve, të cilët, siç ka ndodhur tashmë në demonstrata të tjera, ata vepruan pothuajse të pashqetësuar.
Me ambicie për presidencën në 2027, ai ka vendosur si prioritet “Ristabilimin e rendit”, një frazë që ai e përsërit si mantra. Megjithatë, dhuna nuk arrit të ndalë dhunën.
Një çarje sociale që thellohet
Presidenti Emmanuel Macron ka deklaruar se dhuna nuk ka lidhje me futbollin, por thekson një realitet më të hidhur: trazirat nuk janë të motivuara nga sporti apo festa, por nga një boshllëk social, një mungesë perspektive dhe ndjenja e përjashtimit.





