Artistët Erëmira Çitaku, Luan Durmishi dhe Liburn Jupollin do të zhvillojnë një koncert në Paris. Fillimisht bashkëpunimi i këtyre artistëve nisi me projektin “Shtëpia e qenies” apo “House of being”, vazhdoi me “Etno muzikë e re” e deri tek “Balarmi”. Ndërsa projekti i fundit i artistëve është “Hyper Creation”, i cili bashkë me “Shtëpia e qenies” dhe “Etno muzikë e re” do të prezantohen në Paris, pikërisht në Center de Recherche Interdisiplinaire, më 18 maj.
“Ne me Liburnin dhe Luanin kemi nisur bashkëpunimin shumë më herët. Që nga projekti që ka qenë “Shtëpia e qenies” ose “Hous of being” unë kam përdorur tekste të autorit, që e ka shkruar këtë vepër. Ky projekt është realizuar vitin e kaluar njëkohësisht me dy projektet e tjera “Muzikë e re Etno”, duke përdorur teknologjinë e re muzikore, duke futur aty elemente të ndryshme që e zhvillojnë tingullin në forma të ndryshme dhe “Hyper Creation” është projekti i fundit i realizuar, ku në të gjitha këto projekte kam bashkëpunuar me Liburnin dhe Luanin”, tregon Çitaku. Më tej ajo pohon se për të gjitha konceptet e projekteve, të cilat do të prezantohen në Paris ka punuar edhe Labinot Kelmendi. “Pjesa nga veprat në “Hyper Creation” përfshihen gjithashtu përveç muzikës edhe video, punime 3D, fotografi etj.
Duke u bazuar në besimin e komunikimit ndërnjerëzor në raport mes muzikës dhe gjuhës, konstituon vepra e përmbledhur me emrin “Trekand’shi”, e cila përfshin materialet e përpunuara në audio CD. “Shtëpia e Qenies”, është inspirim nga filozofi gjerman Martin Heidegger. “Gjuha është shtëpia e Qenies” dhe më intrigoi që ta bëj një zhvillim dhe improvizim konceptual, i cili paraqet edhe natyrën e muzikantit duke e formuluar titullimin më tej si “Muzika është shtëpia e Qenies””, theksoi Erëmira Çitaku. Por “Etno muzikë e re”, sipas saj ka të njëjtat teknika të zhvillimit të materialit, por ato tani komunikojnë me melosin etno shqiptar dhe përdorimi i instrumenteve folk. Ndërsa “Balarmi” paraqet po të njëjtën teknikë të zhvillimit muzikor, por tema është tjetër. “Ndoshta, këto edhe e përmbushin kushtin estetik, në atë që unë besoj. Kjo është magjia mistike e jetës dinamike, që e determinon qenien sot”, tha ndër të tjera Çitaku.