Rrugët e qytetit të Shkodrës janë pushtuar nga ngjyrat e festës dhe mijëra qytetarë me maska veneciane dhe kostume shumëngjyrëshe.

Karnavalet, kjo festë e famshme në të gjithë botën, i ka dhënë ngjyra qytetet të Shkodrës duke sjellë për tre ditë me radhë një atmosferë magjike.

Festimet mbyllen sot nga një spektakël me karvanin e karnavaleve që do të përshkojë rrugët e kryeqendrës së veriut.

Qytetarët e veshur me kostume shumëngjyrëshe e maska do të parakalojnë në rrugët e qytetit duke dhënë një panoramë mbresëlënëse si në shumë qytete europaine ku festohen karnavalet.

Ndërkohë pasdite do të bëhet edhe djegia e dordolecit që simbolizon djegien e fenomeneve negative duke pritur ardhjen e stinës së pranverës.

Festimeve iu bashkua një ditë më parë edhe kryeministri Edi Rama me familjen e tij.

Tradita e karnavaleve në Shkodër daton që në vitin 1864, ndërkohë që zbukurimet me një dekor shumëngjyrësh kanë përfshirë gjithë qytetin.

Padyshim që kjo është një nga festat që nuk njeh moshë e as gjini, por atmosfera festive i ka mbledhur të gjithë në Shkodër për të shijuar magjinë e maskave dhe kostumeve me personazhe.