Pas tre ditëve pa energji elektrike, qindra banorë të Laprakës kanë zhvilluar një protestë, gjatë të cilës kërkuan rikthimin e energjisë. 

Në shenjë proteste banorët kanë bllokuar njërin aks të rrugës, në kryqëzimin e Laprakës, dhe u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave në rrugë. 

Situata është tensionuar ndjeshëm, ndërsa qarkullimi i makinave është bllokuar për rreth 1 orë. Është dashur ndërhyrja e policisë për të larguar protestuesit nga rruga, duke bërë të mundur edhe lëvizjen e makinave. 

Banorët pretendojnë se kanë shlyer rregullisht detyrimet ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje, ndërsa vuajnë mungesën e energjisë prej 3 ditësh. 

Kompania “CEZ Shpërndarje” bëri të ditur se punimet nga një firmë private ndërtimi në Tiranë kanë dëmtuar kabllot 1,6,18,9 të nënstacionit Tirana në Laprakë, duke lënë pa energji elektrike disa zona. 

CEZ njofton se si shkak i dëmtimit janë pa energji Rruga ‘Babë Rexha’, ‘Pallatet e Izraelitit’, zona te ish-shkolla e Partisë, Pallati ‘Asllan Rusi’. CEZ po punon për rregullimin e defektit dhe normalizimin sa më parë të situatës me qëllim kthimin e energjisë elektrike sa më parë.