Tre ditë përpara protestës së paralajmëruar të opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vendosur të largojë Ervin Salianjin nga detyra e drejtuesit politik të Njësisë Administrative nr. 6 në kryeqytet.

Vendimi merret në një periudhë të ngarkuar për opozitën, ndërsa përgatitjet për protestën e së hënës, më 22 dhjetor, janë në fazën përfundimtare. Burime nga Partia Demokratike bëjnë me dije se ndryshimi në drejtimin politik të njësisë vjen në një moment kur strukturat lokale janë të angazhuara intensivisht në terren.

Salianji ka qenë i pranishëm veçanërisht në zonën e Kombinatit, ku ka zhvilluar takime të shpeshta me mbështetës dhe anëtarë të PD-së. Aktivitetet e tij janë shoqëruar nga pjesëmarrje e gjerë, kryesisht nga të rinjtë, si dhe përpjekje për riorganizimin e strukturave lokale.

Deri tani nuk ka një qëndrim publik nga Ervin Salianji lidhur me këtë vendim, ndërsa Partia Demokratike nuk ka bërë të ditur emrin e pasuesit në krye të Njësisë 6.