Nga Mero Baze
Ka tre zhvillime dramatike në Reformën në Drejtësi që kanë krijuar një gjendje alarmi kryesisht tek ata që nuk besonin se Reforma do të bëhej.
E para ka të bëjë me skualifikimet dramatike nga Vettingu. Sot shumica e Gjykatës së Lartë është rrëzuar nga Komisioni i Vettingut. Po ashtu është asgjësuar dhe Gjykata Kushtetuese.
Ky është me të vërtet një rezultat dramatik, por jo tragjedi. Është një spastrim që i bën mirë sistemit. Kjo tregon se çfarë gjykatash kemi pasur dhe jo çfarë të ardhme të keqe do të kemi në drejtësi.
Skualifikimet e forta tregojnë se hallka kryesore e Reformës në Drejtësi po funksionon dhe kjo është një dramë që i bën mirë Reformës.
Zhvillim i dytë në dukje dramatik, por në thelb propagandistik, është vonesa e ngritjes së institucioneve të Reformës. Është fjala për plotësimin urgjent të dy Gjykatave, asaj të Lartë dhe Kushtetuese, plotësimin e KLGJ dhe KLP, si dhe ngritja e Prokurorisë Speciale.
Boshllëku i momentit që është krijuar nga bllokimet politike të procesit është i tejkalueshëm dhe është më pak i dëmshëm se sa bllokimi i Reformës apo mbajtja në këmbë e insitucioneve të vjetra.
Mungesa e institucioneve mund të vonojë disa muaj drejtësinë, por ekzistenca e sistemit të vjetër e vriste drejtësinë dhe e bënte të pashpresë qytetarin.
Është më mire të presësh disa muaj më vonë për drejtësinë se sa ta humbësh shpresën sot para gjyqtarëve dhe prokurorëve që shisnin drejtësisë siç po shikohet nga procesi i Vettingut.
Ndaj dhe alarmi për boshllëkun e institucioneve është fallco dhe është i fryrë politikisht nga ata që janë të shqetësuar nga funksionimi i Reformës.
Zhvillimi i tretë dramatik real, është mungesa e njerëzve që do të plotësojnë boshllëqet e krijuara bllokimi i Shkollës së Magjistraturës që është një akt politik që dekonspiron gjithë bllokimet e tjera të procesit të Reformës në Drejtësi.
Ata që ankohen se po bllokohet Gjykata e Lartë, apo Kushtetuese, KLP e KLGJ, të vetmen gjë që kanë në dorë të mos e bllokojnë, është hapja e Shkollës së Magjistraturës, për të cilën, jo vetëm që nuk e japin votën, por bllokimin e konsiderojnë triumfalizëm.
Kjo është një shenjë e qartë që ndan, ata që e përdorin votën politike për bllokim të reformës, me ata që duan t’i tejkalojnë ngërçet e reformës. Fatkeqësisht ata që po bllokojnë janë të njëjtët që po qahen se Reforma është bllokuar.
Është thjeshtë shpresa e fundit për ta ndaluar atë që nuk ka më kthim pas. Dhe s’kanë faj kur shikon se “gjeneralët” më të përdorur politik në Drejtësi po dorëzojnë “spaletat”./ TEMA