Java e fundit luhet ekskluzivisht për mbijetesën, ndeshjet që vlejnë për verdiktin final janë 3, Laci-Teuta, Korabi -Flamurtari dhe Vllaznia-Tirana. Është pikërisht Shkodra epiqendra e javës me njërën mes Vllaznisë dhe Tiranës që me shumë mundësi do t’i thotë lamtumirë Kategorisë Superiore, një verdikt natyrisht i dhimbshëm sa skenën e kanë pushtuar edhe teoritë konspirative për shpëtimin e të dyjave. Gjithsesi deri në shembullin e kundërt i duhet besuar vetëm fushës. Laci që luan ndeshjen e jetës është natyrisht favorit përballë një Teute që i ka marrë cfarë deshi këtij kampionati, ndërsa e vështirë edhe të imagjinohet një surprizë e Korabit përballë Flamurtarit.

Në këtë kontekst padyshim që në opinionin e gjerë ka keqardhje që njera prej dy skuadrave më  me traditë në vend me shumë mundësi do ti duhet të lërë Superioren, por ky nuk është faji i Flamurtarit e aq më pak i Lacit. Madje atje në Kurbin kanë të drejtë ta ndiejnë veten në një farë mënyre disi të nënvlerësuar. Në fillim të këtij viti Laci ishte skuadra më e kuotuar për të rënë nga Kategoria pas Korabit, e madje ekzistonte një ndjesi se të gjithëve nuk do ju vinte keq opër një rënie të Lacit, natyrisht përvec tifozëve të kësaj skuadre. Por lojërat luhen në fushë dhe te Laci patën reagimin e duhur për të mbledhur forcat duke ndryshuar kurs, merkato fantastike me rikthimet e Vucajt e Nikës, një frymë e re në skuadër dhe rezultate në tapetin e blertë.

Fitore në shtëpi ndaj Tiranës, barazim me Kukësin, barazim në kryeqytet me Tiranën në Selman Stërmasi, skenë ku të gjithë e mbajnë mend edhe atë barazim ndaj Partizanit që nxori praktikisht të kuqtë nga lufta për titullin, fitore e pastër ndaj Vllaznisë, barazim me Flamurtarin, te Laci kanë ditur t’i bëjnë mirë llogaritë dhe të luftojnë për pikët e mbijetesës, te Tirana e Vllaznia jo, natyrisht keqardhje për dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar që gjenden në këtë pikë, por të paktën, jepini Lacit atë që i takon Lacit.