Veshje ushtarake. Ushtrime ushtarake. Sfida të vërteta fizike. Të tilla që i kalojnë vetëm ushtarët më të përgatitur. Kjo është mënyra që klubi zviceran i futbollit Sion ka zgjedhur për lojtarët e tij, si pjesë e përgatitjes për stinorin pranveror të Superligës helvetike, shkruan sot Koha Ditore.
Sioni është në situatë të vështirë, ka përfunduar stinorin vjeshtor në pozitën e fundit. Rrezikon largimin nga Superliga. Ngritja e moralit, përmirësimi i raportit mes lojtarëve dhe krijimi i shpirtit ekipor ishte i pashmangshëm. Dhe për këtë trajnerët dhe drejtuesit e klubit zgjodhën që skuadrën ta dërgojnë në një kamp katërditor. Bëhet fjalë për një kamp ushtarak në Francë.
Kampin e drejton një ish-ushtarak francez që nuk lëshon pe nga detyrat që i cakton. Pjesë e Sionit që po përgatitet në mënyrë të veçantë janë edhe tre futbollistë shqiptarë, Pajtim Kasami, Burim Kukeli e Ermir Lenjani.





