FRANCE – Tre gra kurde janë vrarë me armë zjarri në Paris dhe të treja janë goditur me plumb në kokë raportojnë mediat franceze që citojnë burime policore.
Një nga gratë mendohet se është bashkëthemeluesja e lëvizjes separatiste kurde PKK. Trupat janë gjetur në afërsi të Institutit Kurd në kryeqytetin francez.
Ende nuk është i qartë motivi i kësaj vrasjeje të trefishtë, që ndodh në një kohë kur Turqia po përpiqet të bisedojë me liderin rebel kurd Abdullah Oçalan, në përpjekje për ta bindur që PKK të ulë armët.
“Skena e krimit të jep idenë e një ekzekutimi, por do të jenë hetimet që do të përcaktojnë rrethanat e vërteta të ngjarjes”, ka thënë një burim policor për agjencinë e lajmeve “AFP”.
Rreth 40 mijë persona kanë humbur jetën përgjatë konfliktit 25-vjeçar mes shtetit turk dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.