TIRANE, 25 shkurt 2013– Kryeministri Berisha njoftoi se sot është marrë një vendim i rëndësishëm për dorëzimin në KQZ, me firmën e deputetëve të mazhorancës, të kërkesës për miratimin e 3 ligjeve me referendum. Njoftimin kreu i ekzekutivit e bëri në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Kryeministri kishte lajmëruar më parë se do të kërkonte mbajtjen e një referendumi për miratimin e tre ligjeve, që janë bërë pengesë për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Ju falënderoj me shumë mirënjohje për mbështetjen tuaj të fuqishme për miratimin me referendum të tre ligjeve, që kërkohen për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë nga BE-ja dhe që prej muajsh janë bllokuar nga z.Rama.

Sot u vendos që këto ditë të dorëzohet në KQZ, me firmën e deputetëve tanë, kërkesa për thirrjen e referendumit për miratimin e tre ligjeve te bllokuara nga z.Rama. Ky është një vendim historik, me të cilin qytetarët shqiptarë do të faktojnë mbështetjen e tyre plebishitare për integrimin e vendit në BE. Ky vendim, është përgjigja më e merituar e sovranit ndaj murit të bllokimit të z.Rama dhe planeve të tij për të bojkotuar parlamentin pas humbjes së zgjedhjeve të qershorit që vjen, qëndrim që ai mbajti pas zgjedhjeve te vitit 2009. Referendumi është përgjigja më e përshtatshme ndaj njeriut që di vetëm të bllokojë, vetëm të bojkotojë. Shqipëria europiane është misioni ynë. Ne do fitojmë! Sb”- shkruan Berisha në Facebook.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/