Policia e Pukës ka reaguar pas denoncimit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” se tre mbështetës të PD-së janë dhunuar me qyta pistolete dhe një prej tyre është plagosur rëndë.

Teksa opozita nxori dhe emrat e autorëve, policia deklaron se një person është dhunuar me grushte dhe sende të forta dhe ka shoqëruar autorët e dyshuar.

NJOFTIMI I POLICISË
Policia ka marrë njoftim se në aksin rrugor rural Miliska-Dardhë, në vendin e quajtur “Lumi i Mziut”, kishte ndodhur një konflikt mes disa shtetasve.

Nga deklarimi i dhënë nga shtetasi Besmir Nika, (i dëmtuar), dyshohet se:

Shtetasi Vasil Muslija, së bashku me djalin e tij, shtetasin R. Muslija, dhe shtetasin S. S., banues në fshatin Fierzë, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, shtetasin Besmir Nika.

Shtetasi Besmir Nika, si pasojë e konfliktit është dëmtuar lehtë, dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër, ka dhënë deklarim në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pukë, autorët e dyshuar, shtetasit Vasil Muslija, R. Muslija dhe S. S., dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprime procedurale.

Vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.