Peshëngritësi shqiptar Briken Calja triumfoi në Europianin e Peshëngritjes, duke arritur të marrë 3 medalje ari. Peshëngritësi nga Shtërmeni i Cërrikut arriti të ngrejë 146 kg në stilin e shkëputjes dhe 175 kg në atë të shtytjes, ndërsa në total 321 kg.

Në stilin e shtytjes, Çalja ngriti 171 kg në provën e parë, duke siguruar automatikisht medaljen e artë edhe në dygarësh. Në provën e dytë Çalja dështoi të ngrejë 175 kg, ndërsa në provën e 3-të ia doli me sukses të ngrejë shtangën dhe të kompletojë dominimin e tij në këtë kategori.

Pas garës së tij të jashtëzakonshme, edhe pse tejet i emocionuar, ai tha se ky sukses shkon për familjen miqtë dhe shqiptarët. “Jam shumë i lumtur. Suksesin ia dedikoj familjes, miqve dhe gjithë shqiptarëve”, tha Calja pas garës.