Presidenti Bajram Begaj, mirëpriti dje në Ditën e Mësuesit në ambientet e Presidencës mësues në pension që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në arsimin shqiptar.
Begaj i shprehu atyre vlerësimin dhe falënderimin në emër të shoqërisë shqiptare për rolin që ata kanë luajtur në edukimin e brezave me dashuri për gjuhën, arsimin, atdheun.
Në një festë plot emocione, ndër mësuesit që u nderuan nga Presidenti, spikatën edhe ato të qytetit të Durrësit, si: Shyhrete Maliqati, Vjoleta Kurti dhe Nimete Cani, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë kolonat mbi të cilat u ndërtua dhe po rritet sistemi ynë arsimor.
Ashtu si edhe Presidenti Begaj u shpreh para mësuesve, roli i tyre në formimin e karaktereve dhe në ndërtimin e një shoqërie të ditur dhe të përgjegjshme nuk mund dhe nuk duhet të nënvlerësohet. Përmes përkushtimit të këtyre arsimtarëve, është dëshmuar se arsimi nuk është thjesht transmetim njohurish, por një mision i shenjtë për të përcjellë dijen dhe vlerat më të mira të popullit tonë.