3 shkurt 2015 –  Tension, nervozizëm dhe krizë besimi mes legjislativit dhe ekzekutivit.

Tri ministra të qeverisë “Rama” kanë refuzuar dhe sfiduar Kuvendin e Shqipërisë, duke riaktivizuar edhe një herë vatrën e tensionit mes kabinetit qeveritar dhe deputetëve të majtë. Ata janë ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Tre ministrat në fjalë ishin thirrur dje në Kuvend, për t’u paraqitur para komisioneve të Sigurisë dhe Mediave, për të raportuar në lidhje me disa probleme që kanë të bëjnë me dikasteret e tyre.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pritej nga Komisioni i Sigurisë që të mbronte projektligjin e ri për Policinë Ushtarake. Kodheli çoi në komision zëvendësministrin, Petro Koçi, ndërsa shmangu ballafaqimin me deputetët për shkak të ngjarjes së rëndë, ku një major i ushtrisë ra në Spanjë bashkë me helikopterin me 1 ton drogë.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, vijon të mos i përgjigjet një kërkese të Komisionit të Sigurisë, për të raportuar në një seancë dëgjimore për çështjen e tritolit, kokainës dhe terrorizmit. I vetëdijshëm se një grup deputetësh të PS dhe LSI janë përgatitur për ta kryqëzuar në Komision, ministri Tahiri vijon të fshihet pas përmbytjeve dhe alibive të tjera, duke mos u paraqitur në Kuvend.

Ndërkaq, Komisioni i Sigurisë, në kalendarin e punimeve të miratuar një javë më parë, kishte parashikuar që seanca dëgjimore me Tahirin të zhvillohet gjatë kësaj jave. Po ashtu, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, duhet të paraqitej në Komisionin e Arsimit dhe Mediave në Kuvend, për të raportuar në lidhje me testimin e mësuesve. Ministrja nuk u paraqit në Kuvend, ndërsa Komisioni i Mediave e shtyu raportimin për ditën e sotme. Ndërkaq, ka një urdhër në fuqi të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, i cili detyron anëtarët e kabinetit qeveritar që të mbrojnë ligjet e tyre në komisione.

Po ashtu, kryetarët e komisioneve parlamentare kanë urdhër që të anulojnë mbledhjet dhe të mos pranojnë këshilltarët, zëvendësministrat dhe drejtorët e ministrave për të mbrojtur nismat në emër të tyre. Ndërkaq, sa i takon seancave dëgjimore, pjesëmarrja e ministrit është e detyruar me ligj.   

Çështja “Cani”  

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, është i vetmi anëtar i kabinetit qeveritar që nuk e ka zbatuar nismën politike të kryeministrit Rama për të ndarë postin e misionit dhe funksionet e deputetit. Kryefinancieri Cani nuk e dorëzon mandatin e deputetit për dy arsye:

Së pari, Cani është i pasigurt nëse do të jetë ministër Financash deri në fund të këtij mandati, për shkak të pakënaqësisë së Ramës dhe treguesve të dobët ekonomikë që lidhen me detyrën e tij. Të ardhurat nga akciza pritet të jenë shumë të ulëta ç’ka i bën të pasigurta pozitat e tij.

Së dyti, ka një mosmarrëveshje sa i takon kandidatit në listën shumëemërore që do të marrë mandatin e Shkëlqim Canit. 

/lajme"sot"/