DURRËS– Olen Çezari, Krist Gjezi dhe Daniel Vlashi mund të mos jenë parë asnjëherë me njëri-tjetrin, ata kanë shumë gjëra të përbashkëta. Ata janë që të tre violinistë me përvoja shumë të ndryshme, kryesisht për shkak të moshës. Oleni, i cili jeton më të shumtën e kohës në Itali, i ka mbushur 38 vjeç, dhe është bërë një figurë e njohur televizive në gadishullin Apenin, ndërsa dy të tjerët, Kristi dhe Danieli janë shumë më të rinj; i pari 23 dhe i dyti 16 vjeç, madje ende nuk i kanë festuar. 

Edhe këta të fundit jetojnë në dy vende të shquara në kulturën evropiane, e veçanërisht në fushën e muzikës.Krist Gjezi jeton ka lindur në Tiranë dhe që nga viti 1994 jeton së bashku me familjen në Bordo (Francë), ndërsa Daniel Vlashi ka lindur në gadishullin Iberik, në Korunja, cepin veriperëndimor të Spanjës dhe atje vazhdon të jetojë së bashku me prindët e tij instrumentistë. 

Përveç violinës, të “tre moskëtjerët e violinës” (të panjohur me njëri-tjetrin) i bashkon edhe një gjë tjetër, jo pak e rëndësishme për durrsakët. Prindërit e tyre kanë jetuar shumë gjatë në Durrës dhe vetëm pas ndryshimeve të viteve 1990-të, i janë drejtuar përfundimisht vendeve të tjera të Evropës. 

Për karrierën që të tre artistët tanë kanë zgjedhur për të ardhmen dhe ku kush më shumë e kush më pak kanë hedhur hapa shumë të rëndësishëm. Prindët e profesionistëve të të rinjve të violinës kanë ndikuar dukshëm në profesionin e të bijve, të cilët me shumë të drejtë mund ti quajmë ashtu si I përcaktojnë fqinjët tanë të përtej detit: “figli d’arte”. 

Sipas proverbit shqiptar, “bëmë baba të të ngjaj”, ndonjeri prej tyre tashmë i ka kaluar sinoret e suksesit të prindërve, ndërsa ndonjë tjetër ka ende rrugë për të bërë. Edhe paraardhësit e tyre kanë studiuar instrumentat me korda që në moshë të re, madje edhe pas studimeve universitare janë rikthyer aty ku kishin filluar karrierën artistike: në Durrës. 

Megjithëse ndodhen qindra e mijra km larg “shtëpisë së tyre të parë”, Durrësit, shumë shpesh, të njejtën gjë e bëjnë edhe durrsakët e rinj të violinës, megjithë impenjimet në shkolla apo në skenat e Evropës. Edhe këtu, tepër të ndikuar nga prindët e tyre dhe nga kushtrimi i të parëve. 

Mjafton një thirrje nga qyteti-amë i tyre dhe i prindërve dhe përgjigja është gjithnjë pozitive. Olen Çezari, Krist Gjezi dhe Daniel Vlashi janë gjithnjë e më shpesh të pranishëm në jetën koncertore të Durrësit dhe ardhja e tyre është gjithmonë një ngjarje e madhe për të gjithë artdashësit durrsakë. 
Nuk ka rëndësi se sa shumë apo pak reklamë i bëhet veprimtarive; po aq e parëndësishme është stina me vapë apo e ftohët: spektatorët durrsakë të të gjitha moshave vijnë përballë mjeshtrave të rinj, njëlloj si para prindërve të tyre artistë. 

Bëmë baba, të të ngjaj 

Oleni është biri i Robert Çezarit të ndjerë, i cili megjithëse nuk ishte artist në formimin profesional, ishte një nga njerëzit më pranë artit dhe kulturës në Durrësin e viteve 1960-1980. Madje pas vitit 1990-të, Çezari senior bëhet një nga gazetarët më të njohur për marrëdhëniet me palën italiane, veçanërisht me misionin humanitar “Pelikan”, me qendër në Durrës. 

Në jetën e Olenit të ri ndikoi shumë më tepër e ëma, Lavdia, instrumentiste në të gjitha formacionet orkestrale të Durrësit dhe mësuese në shkollën e mesme artistike “Mujo Ulqinaku” (sot “Jan Kukuzeli”). Insistimi i saj dhe talenti i të birit, i shfaqur shumë herët, mundësojnë studimet e Olenit në Romë dhe më pas suksesi mbërrin me punë të palodhur. 

Olen Çezari, personazh VIP në spektaklet TV italiane, shfaqet në Durrës verën e vitit të kaluar. Ai vjen në krye të bandit muzikor, me të cilin sjell notat e diskut të ri me muzikë. 

Për dy netë radhazi në skenën e sheëtitores bregdetare dhe në sheshin “Liria” artdashsit durrsakë dhe turistët vendas dhe të huaj festojnë bashkë me tingujt e violinës së tij elektrike. Violinisti Olen Çezari, një nga artistët durrsakë me veprimtari mjaft të dendur koncertore në Itali dhe vende të tjera të rajonit prezantoi së bashku me grupin e tij “International clandestine orchestra” këngët e diskut të tij “Unexpecting”. Sheshet qendrore të Durrësit jehuan nga tingujt e motiveve të njohura me këngë të frymëzuara nga vendet e Mesdheut. 

Olen Çezari dhe orkestra e drejtuar prej tij zhvilluan verën e kaluar një turne koncertor në qytete të ndryshme të vendit tonë dhe të Evropës. 38-vjeçari nga Durrësi është bërë i njohur për pjesmarrjet e tij në veprimtari shumë të njohura televizive italiane, si dhe në Festivalin e këngës në Sanremo. 

Krist Gjezi është pasardhës i njërit prej violinistëve më të shquar të viteve 1970-1980 në vendin tonë: solist në Orkestrën e teatrit të Operas, Pirro Gjezi, i cili studioi në Bukuresht në gjysmën e dytë të viteve 1970, nuk ngurroi ta fusë të birin e vetëm në botën e madhe të artit. Shumë shpejt do të emigronin në Francë, aty ku Pirro vazhdon të japë mësime violine, ndërsa emrin e tij si solist do ta çojë përpara në këto vite, Kristi, instrumentist i formuar në shkollën franceze. 

Një sërë suksesesh dhe çimesh nderi do t'i japin kënaqësi babait artist Pirros, që kur djaloshi ishte ende 11 vjeç. Emri i Krist Gjezit mbërrin fillimisht në Shqipëri përmes medias. Në vitin 2007, kur ishte vetëm 17 vjeç, ai zgjedh të vijë fillimisht në Durrës, mysafir në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, që organizohet në qytetin bregdetar nga Nevila Kalaja. Një vit më vonë, ai e ripërsërit suksesin, ndërkohë që kishte qenë edhe mysafir në edicionin e tetë të Klasik në Tiranë. 

Një tjetër mjeshtër i ri i violinës zgjedh Durrësin për përballjet e para me publikun. Daniel Vlashi, i klasit 1997, lindur dhe banues në Korunja, vjen rregullisht në Durrës me prindët instrumentistë të njohur. Ai studion me sukses në shkollat dhe konservatoret e Spanjës dhe Francës dhe disa javë më parë ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm për moshën e tij. 

Ende pa mbushur 16 vjeç, Daniel Vlashi është zgjedhur violinist spalë (violin e parë) e Orkestrës sinfonike të të rinjve të Galicisë, me qendër në Korunja. Edhe në rrugën e Danielit ka dy firma të rëndësishme, ajo e nënës violonçeliste, Rediana Lukaçi, por mbi të gjitha e të jatit violinist Florian Vlashi, edhe ai nga ana e tij “bir arti”, përndryshe siç thonë kosovarët, djali I Gjjergj Vlashit, i njohur në Durrës dhe të gjithë vendin si regjisor, përkthyes e romancier. 

Daniel Vlashi që nga viti 2003, megjithëse shumë i vogël, është i pranishëm mes artistëve që i japin jetë projektit shqiptar, që babai i tij, Floriani, promovon çdo dy vjet në Durrës: Bienalja “Netët e muzikës klasike”, veprimtari që ka mbërritur në edicionin e gjashtë të saj.

I rritur në një familje muzikantësh, Danieli zgjedh të vazhdojë udhën e nisur nga i jati shumë vite më parë, në shkollën artistike “Mujo Ulqinaku” të Durrësit. Edhe Danieli e quan Durrësin si stacion të rëndësishëm në jetën e tij, jo vetëm se është shtëpia e gjyshërve dhe prindërve, por edhe për shkak të evenimentit muzikor që çdo dy vjet vë në provë edhe progresin e tij artistik. 

Në gusht të vitit 2013, Florian Vlashi, me bashkëshorten e tij Rediana dhe të birin, Danielin, do të jenë me ne në Durrës, në edicionin e radhës së Bienales, e ndoshta me ta do të jetë në skenë edhe një emër I ri, ende I panjohur, pianisti 7-vjeçar Martin Vlashi.