DURRËS, 1 tetor 2014  –  Pavarësisht nga mënyra si u votua dhe si u numëruan votat për anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së, Durrësi blu provoi një surprizë të hidhur.

Nga 150 anëtarët e zgjedhur  (jo të emëruarit për shkak të detyrës) kishte vetëm tre përfaqësues të PD-së durrsake. Vetëm tre emra nga Dega e PD-së Durrës u zgjodhën në këtë këshill d.m.th. vetëm 2% e anëtarëve të këshillit. Kujtojmë se Dega e PD-së Durrës mbulon një territor, që sipas censusit të fundit ka 8% të popullsisë së vendit, pra përfaqësimi është katër herë më pak se numri i popullsisë. Nëse kësaj shifre i shtojmë edhe shifrën tjetër, që Durrësi kontribuon në të ardhurat në buxhetin e shtetit me 38% të shumës së përgjithshme duke shërbyer si gjenerator parash për shtetin shqiptar, atëhere kemi të drejtë të konkludojmë që nga pikëpamja sasiore, PD-ja durrsake thjesht është nënpërfaqësuar në Këshillin Kombëtar. Durrësi nuk është një bastion i së majtës, madje përgjithësisht ka votuar më shumë djathtas ( politikisht dhe për këshillat komunalë e bashkiakë), pra nuk kemi të bëjmë me një zonë, ku PD-ja është tradicionalisht në opozitë (Skrapar, Urë Vajgurore, Ersekë etj.) dhe prandaj nuk meriton më shumë se një përfaqësim minimal në Këshillin kombëtar. Me sa duket numëruesve të votave në Tiranë u është dhënë udhëzim, që vetëm këto tre fytyra duhet të përfaqësojnë demokratët durrsakë në organin më të lartë vendimmarrës të partisë së tyre. Kaq meritojnë demokratët durrsakë. Atyre tashmë u duhet të përfaqësohen nga zotërinjtë Armand Teliti, Ferdinand Xhaferraj dhe Arqile Goreja.

Akoma më zi, numrit të ulët d.m.th. sasisë i shtohet edhe një cilësi skandaloze. Pikërisht kjo cilësi skandaloze bën që fjalimit programatik të kryetarit Stafa gjatë punimeve të kuvendit të PD-së dhe tezës së tij largpamëse për ringritje të PD-së t’i kundërvihet fakti, që PD-ja në Durrës do të ringrihet me dështakë proverbialë, apo me personazhe démodé, që durrsakëve të vjetër u kujtojnë mallrat e dyqanit të Latifit.

Le t’i analizojmë pak këta tre “musketierë”, që do përfaqësojnë Durrësin “provincial” në kasabhanë e madhe të Tiranës. Ata janë:

Armand Telitii ardhur me lugë në brez nga shoqëria civile(?!) drejt e në PD-ë u shpërblye maksimalisht si këshilltar bashkiak, zv/ministër, drejtor i përgjithshëm etj. Një herë të vetme, kur i duhej ta përballonte vetë betejën d.m.th. jo me bedelë, humbi në mënyrë të turpshme. Ai humbi, kur PD-ja ishte në kulmin e vet në Durrës, me 8-9 000 vota para PS-së së rreckosur të viti 2005. Humbi përballë Dakos, që në vitin 2007 nuk ishte askushi si figurë publike dhe politikan.

 Sot, kur Vangjush Dako është gjithkushi si kryebashkiak, si politikan jo vetëm lokal, si figurë publike, si benjamin i faktorit ndërkombëtar në Tiranë, me siguri në zgjedhjet e ardhshme lokale do të mundet nga PD-ja e ringritur alla Telitshe!!!!!!!!!!!!! Kushdo mund t’i përfaqësonte demokratët durrsakë, përvec zotit Teliti. Nëse Berisha është borxhli ndaj Telitit për letrat që i firmosi afrofe zonjës Malltezi te Autostrada e Kalimashit, apo për pasaportat biometrike lëshuar “uma-uma” për persona të rekomanduar nga Shkëlzeni, pse duhet ta paguajnë durrsakët duke u përfaqësuar nga një Telit?!

“Musketieri” i dytë është zoti Xhaferraj. Ai ndonëse me një bagazh e përvojë të pasur politike brenda dhe jashtë PD-së, nuk mund të jetë përçues i zërit durrsak në Këshillin kombëtar. Me shumë dhembje më duhet të them, që zotin Xhaferraj e ka lënë koha mbrapa.Ai sot në vitin 2014 të kujton lokomotivat me avull, që ende punonin në hekurudhat shqiptare deri në vitin 1992. Ai thjesht është obsolet, i vjetëruar. Përballë PS-së durrsake dhe partnerit të saj sa agresiv aq dhe tahmaqar LSI-së, përballë Vangjush Dakos, PD-në durrsake do ta ringrejë në Tiranë humbësi i rradhës përballë Dakos, zoti Xhaferraj. Në vitin 2011, z. Xhaferraj thjesht kishte ngelur vite dritë mbrapa realitetit. Ai në vitin 2003 ndonëse përkrahej nga një mikro-pollo-parti ishte shumë më luftarak, shumë më i qartë politikisht, shumë me këmbë në tokë, shumë i përkrahur nga Ambasadorja Ries, sesa në vitin 2011. Në vitin 2003, ai kishte përballë jo vetëm krimin dhe llumin, jo vetëm policinë, SHIK-un dhe kërbaçin e të majtës në pushtet me Kryeministër një Ilir Metë, por edhe PD-në me falso-kandidatin e saj. Prapëseprapë, ai diti të bëjë fushatë dinjitoze dhe të ishte fituesi moral i atyre palo zgjedhjeve. Në vitin 2011, z. Xhaferraj, ndonëse tashmë LSI-në e kishte aleate, dështoi me sukses të plotë jo më para krimit dhe pushtetit, jo më para një kolosi  a gjigandi të pamposhtur, por para një Vangjushi dy pëllëmbë mbi tokë.

Jo vetëm dështoi duke e pasur pushtetin dhe policinë me vete, por edhe për fat të keq u shndërrua në një objekt barsaletash me objekt kockat e Isamil Qemalit apo  përpjekjet titanike për të përmirësuar cilësinë e diellit. Është e vërtetë, që segmente të qenësishme të PD-së e shitën Ferdinandin e mjerë. Po është e vërtetë që Dako duke shkelur kodin elektoral i bleu disa nga strukturat blu, njëlloj si pronarët e thertoreve, që blenë derrat e gicat në pazarin e gjësë së gjallë në Milot.

I treti musketier është z.Goreja. Ai në fakt është fitues në vitin 1996, kundra një PS-je inekzistente, kundra një kandidati sa për të larë gojën dhe përballë një elektorati totalisht të droguar nga paratë “qyl” të Sudes e Xhaferrit. Në vitin 2000, ai nuk humbi, thjesht u shit nga Berisha i mashtuar mjeshtërisht dhe paturpësisht nga i  ndjeri Limpreht dhe Goresë, votat iu vodhën me dajak policor e me dhunë banditësh të cilët për turp të zotit, PD-ja i shpërbleu me pranga në vitin 2005 dhe me para e liçencë për të bërë para me një mijë e një të zeza në vitin 2009. Pavarësisht nga një fitore qyl dhe një fitore të vjedhur mizorisht zotit Gorrea, njëlloj si Tiranozauri i gjithëpushtetshëm i Jurasikut, i ka ardhur koha të zhduket nga skena politike e të zëvendësohet nga homosapiensi siç u zëvendësuan edhe dinosaurët nja 70 milion vjet më parë. Majft më! Ka një çerek shekulli që laj-thaj kemi z. Gorea, që nga autorizimi i televizorit me ngjyra për përmbushje  me sukses të detyrave të posaçme, e deri te Shefllëku i prapavijës në zyrat e ish-Shqup-it në Tiranë. “Enough is enough”,- thonë anglezët.

Unë nuk jam ekstremist që ta quaj zotin Gorea vjetërsirë, që duhet hedhur në kosh. Jo, ai në mënyrë figurative është pak a shumë si mbetje arkeologjike për historinë e PD-së dhe të para-PD-së, që nuk duhet hedhur në kosh, por duhet vendosur në stendën e muzeut të partisë. Personalisht besoj se këta tre “musketierë” mund ta ringjallin PD-në po aq sa ç’e ngjalli Fatos Nano dhe Shkëlqim Cani qeverinë e falimentuar të Kryeministrit Tao-Tao në dimrin e vitit 1990-1991. Ndryshe nga romani i Aleksandër Dumasë, këtyre tre “musketierëve”, nuk do mund t’u bëjë fajde “D’Artanjani” i ardhur nga provinca e largët e Gaskonjës. Vështirë se mund të ketë” D’Ardanjan” rural, që t’i shndërrojë në fitimtarë dy dështakët + dinosaurin Gorrea.

Sinqerisht do të ishte mëkat i madh, që Vangjush Dako betejën e tretë elektorale ta fitonte thuajse qyl pa harxhuar as mund, as djersë e as para si në dy betejat e para. Turp për PD-në durrsake të përfaqësuar nga tre “musketierët”, që Dako dhe e majta të fitojnë në Durrës, sikur të kandidonin në Skrapar apo Kolonjë. Durrësi nuk është Qyteti Stalin, jo!

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/