Të paktën 28 femra shqiptare janë arrestuar për prostitucion si dhe 3 meshkuj për trafik qeniesh njerëzore. Në sajë të operacioneve blic në tri rajone të vendit janë prangosur shqiptaret, të cilat punonin pa leje qëndrimi dhe pa kontrata pune, mes tyre edhe 4 kosovare.
Policia e Kosovës njoftoi se me urdhër të Gjykatës Themelore në Pejë ka kontrolluar rajonin e Pejës me datë 22.09.2016, në bashkëpunim edhe me inspektorët komunalë, sanitarë, të ambientit, të tregut etj, dhe në 4 lokale ka gjetur parregullsi si në dokumentacionet e nevojshme po ashtu edhe në aspektin sanitar. Ndërkohë, përveç gjobave, policia ka sekuestruar edhe tre telefona.
Sakaq, operacioni i dytë u zhvillua në Prizren nga Sektori Qendror i Hetimeve të Trafikimit me Njerëz dhe i udhëhequr nga Prokuroria Themelore, Departamenti për krime të rënda në Prizren. Në bashkëpunim edhe me autoritetet policore shqiptare është arritur të grumbullohen prova dhe nën dyshimin për veprën penale “Trafikim me njerëz” është arrestuar i dyshuari S.Q. shtetas i Shqipërisë. Ai është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore. Po ashtu, operacioni i tretë u zhvillua në Gjilan, ku Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar me iniciale L.K. (1996) dhe F.Q. (1957), shtetas të Republikës së Kosovës, me dyshimin për kryerje të veprës penale “Trafikimi me njerëz”.
Me aktvendim të Prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë për procedim të mëtejshëm ligjor.





