Një sulm me dron nga forcat ruse në Kiev gjatë natës vrau tre persona, duke përfshirë një fëmijë pesëvjeçar dhe plagosi dhjetë, tha Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit në një postim në Telegram. Në deklaratë thuhet se alarmi për sulm ajror në Kiev zgjati pesë orë mbrëmë.

“Sipas informacioneve të disponueshme, tre persona kanë vdekur, duke përfshirë një fëmijë pesëvjeçar. Dhjetë të tjerë u plagosën. Midis të vdekurve është një baba dhe vajza e tij e vogël, dhe viktima më e vogël e plagosur e sulmit rus është vetëm 11 muajshe”, tha në një deklaratë Administrata Ushtarake e Kievit.

Nga ana tjetër Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se 59 dronë ukrainas u shkatërruan gjatë natës në shtatë rajone ruse, shumica e tyre mbi rajonin e Rostovit.

“Gjatë natës së kaluar, sistemet e mbrojtjes ajrore në detyrë shkatërruan dhe kapën 59 dronë ukrainas: 29 dronë mbi territorin e rajonit të Rostovit, 20 dronë mbi territorin e rajonit të Astrakhanit, tre dronë mbi territorin e rajonit të Voronezh”, thuhet në raportin e transmetuar nga Interfax. Tre dronë të tjerë u rrëzuan mbi rajonin e Volgogradit, dy mbi Krime dhe nga një mbi rajonet Kursk dhe Saratov.