Në qytetin e Durrësit është organizuar festa tradicionale që zhvillohet prej vitesh “Festa e Detit’. Fillimisht të ftuarit kanë shijuar kënaqësinë që jep bregdeti durrsak gjatë një shëtitjeje në det të hapur të bërë me një nga rimorkiatorët e Portit, “Dyrakium”.
Aktiviteti ka vijuar me ekspozitën e hapur në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe më pas pjesmarrësit i janë drejtuar sallës së teatrit ku dhe është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të titujve të nderit personaliteteve të përzgjedhura.
Në hollin e pallatit ata janë njohur me ekspozitat fotografike të tyre si dhe me një CV të shkurtër të kontributeve të dhëna prej tyre në zhvillimin ekonomik, social dhe kultural të qytetit të Durrësit. Më pas në skenën e teatrit u dhanë titujt “Nderi i qytetit” të Durrësit, 3 personaliteteve.
Fillimisht këtë titull e mori avokati i njohur durrsak, Gjon Huli për kontributin e dhënë në fabrikën e bukës dhe vlerat e spikatura qytetare në mbrojtjen e të drejtave juridike të qytetarëve. Më pas titujt iu dhanë Xhavit Hysenajt dhe Ilir Xhanit.
"Festa e Detit" ka vijuar më pas me një koncert të pasur artistik me këngë dhe humor në të cilin morën pjesë artistë të njohur të skenave të sotme të vendit tonë.
K.H.