Kur një dhimbje fyti shfaqet në këtë periudhë të vitit, zgjidhjet dhe këshillat mjekësore japin e marrin. Mjekimet natyrore për fyt, mjaltë (një antibiotik natyral dhe zbutës mrekullibërës), pije të nxehta, gargare me kripë ose solucione zbutëse…

Ja tre pije efektive që zbutin fytin në mënyrë natyrale.

Pije sherebele
Sherebela është një barishte me efekt antiseptik që zbut fytin e irrituar. Do ta përgatisni njësoj si çajin e malit. Zieni një gotë ujë, hidhni në të një lugë sherebelë dhe do ta lini për 2-3′. Pasi ta kulloni pijen, bëni gargarë. Nëse dëshironi, edhe mund ta gëlltisni. Çështja, është të lagni mjaftueshëm zonën e irrituar të fytit, prandaj bëhen gargara.

Rakia me mjaltë dhe barishte
Mjalti është një ilaç shumë i mirë për dhimbjen e fytit. Mbushni gjysmë filxhani çaji me raki dhe shpërndani në të një lugë gjelle mjaltë. Më pas hidheni masën në një kazan dhe ngroheni. Nëse dëshironi, mund të shtoni në përzierje karafili, kanellë, apo edhe rozmarinë të cilat i përkasin barishteve të ngrohta. Pasi të keni përgatitur përzierjen do të bëni gargarë dhe më pas do ta pini (jo e përshtatshme për fëmijët).

Pije me hudhër dhe xhenxhefil
Kjo është një pije me efekt antiseptik dhe zbutës. Hidhni në një filxhan ujë, dy thelpinj hudhër dhe dy feta të holla rrënjë xhenxhefili. Ziejeni masën për 10′. Për shije dhe aromë mund të shtoni limon dhe mjaltë. Pijeni pijen pas gargarës.