4 shtator 2015 – Në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të Durrësit këto ditë janë paraqitur në një ekspozitë të përbashkët tre autorë, me përvojë dhe karakteristika të ndryshme. Piktorët Nuri Jaupi, Oljana Jaupi Toni dhe Artjeta Haliti kanë sjellë për artdashësit 55 tablo të përmasave të ndryshme, duke përvijuar edhe temperamentin e veçantë artistik.

Nuk mungojnë në ekspozitë peizazhet, portretet dhe kompozimet në vaj, që mbajnë kryesisht firmën e 61-vjeçarit Nuri Jaupi, i cili pas disa ekspozitave personale, tashmë ka edhe një studio-galeri në plazhin e Durrësit.

Oljana Jaupi Toni, që ka zgjedhur të ndjekë vokacionin e babait, i ka plotësuar studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe është në kërkim të individualitetit të saj piktorik.

Ndërkaq, bien në sy edhe riprodhimet e tablove nga piktorja e re Artjeta Haliti, e cila vijon studimet për pikturë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur 10 ditë radhazi.

/portali DurresLajm/