1 prill 2014 – Tre pjesëtarë të policisë së Kosovës janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në komunën e Zubin Potokut në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Policia tha se në rrethana ende të paqarta është shtënë me armë zjarri mbi një patrullë të policisë kufitare që ishte në lëvizje në fshatin Banjskë të Zubin Potokut.
Tre pjesëtarë të policisë së Kosovës, që të tre të përkatësisë kombëtare serbe kanë pësuar plagë dhe janë dërguar në spitalin e veriut të Mitrovicës për trajtim.
Mjekët në veri thanë se njëri nga të plagosurit, Oliver Kuzmanoviç, i lindur në vitin 1974, është në gjendje më të rëndë me plagë në kraharor dhe në bark.
Tash për tash nuk dihen në shumë hollësi rreth këtij incidenti dhe as për autorët apo motivet e mundshme të tij.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e dënoi ashpër sulmin duke e cilësuar atë “si një përpjekje për të penguar funksionimin e rendit demokratik dhe të sundimit të ligjit në Kosovë”.
Sulmi i së hënës, ndodhi vetëm pak orë pas përfundimit të një raundi të ri bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Bisedimet e së hënës u tha se kanë afruar qëndrimet e palëve për një marrëveshje mbi sistemin e drejtësisë në veri.
Marrëveshjet e arritura gjatë vitit 2013, bënë që në fund të vitit të kaluar komunat veriore më shumicë serbe të përfshihen në zgjedhjet për pushtetin lokal të organizuara nga Prishtina. Marrëveshjet synojnë vendosjen e sundimit të ligjit në atë zonë që është skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e së ashtuquajturës “vijë e fortë”, nuk pajtohen me përfshirjen e veriut nën kontrollin e Prishtinës. Në janar të këtij viti, Serbia habi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si shpërblim për përfshirjen e saj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.
Në qershor, Bashkimi Evropian do të vlerësojë përmbushjen e kritereve të përcaktuara për Serbinë në kuadër të bisedimeve për anëtarësim. Bisedimet me Serbinë i mundësuan Kosovës të hapë negociatat për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian në tetor të vitit të kaluar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





