Ne të gjithë kemi qenë në këtë pozicion, një mendim (ose më shumë) që vërshon nëpër mendjet tona, skenari më i keq që na vjen gjithmonë në mendje dhe ankthi ynë sa vjen dhe shtohet.
Duke u marrë me celularin, mesazhet dhe emailet nuk ndihmon për t’u çlodhur dhe i ashtuquajturi “mendim i tepërt” pushton një pjesë të madhe të ditës sonë, por edhe të çdo nate, pasi për shkak të saj e kemi shumë të vështirë të flemë.
Njerëzit që mendojnë vazhdimisht, dyshojnë në vendimet e tyre, vënë në dyshim atë që mendojnë apo thonë, nuk e “fikin” kurrë mendjen, duke rezultuar në lodhje dhe vështirësi në marrjen e vendimeve dhe pushim të vërtetë. Dhe ndërsa të qenit plotësisht të pavetëdijshëm nuk është zgjidhja, të menduarit e tepërt dhe i vazhdueshëm mund të ketë një ndikim shumë negativ në jetën tonë.
Tre shenja që tregojnë se po e “lodhni” mendjen
Të biesh në grackën e analizës së tepërt nuk është e vështirë. Lexoni disa shenja për të kuptuar nëse edhe ju jeni viktimë:
-Ju vazhdimisht mendoni për ngjarje specifike, por pa bërë asgjë për të ecur përpara apo për të gjetur një zgjidhje.
-Ju besoni se nuk e keni gjetur zgjidhjen e problemit dhe nëse ndaloni së menduari nuk do të ndodhë kurrë. Ju nuk jeni në gjendje të mendoni për asgjë tjetër.
-Një gjë e veçantë konsumon të gjithë energjinë tuaj dhe ju pengon të jetoni në të tashmen, ndërsa skenarët negativë dhe pesimistë për të ardhmen ose mendimet për atë që mund të kishit bërë ndryshe ju çojnë drejt tjetërsimit dhe depresionit.
Si të ndaloni të menduarit e tepërt
Siç e kemi përmendur tashmë, analizimi i tepërt mund të çojë edhe në depresion, pasi na “mjegullon” gjykimin, aftësinë tonë për të marrë vendime, por edhe aftësinë tonë për t’i parë gjërat realisht. Nëse e kuptoni se i përkisni kategorisë së “mendimtarëve të tepërt” , ja disa gjëra që mund të bëni për të shpëtuar: Sipas psikologëve, mënyra më e mirë për t’u marrë me të menduarit e tepërt është të vëzhgoni trurin tuaj pa gjykuar dhe të mësoni të përpunoni dhe shprehni plotësisht emocionet tuaja.
Shkruani mendimet tuaja
Për të qenë në gjendje të “vëzhgoni” funksionimin e trurit tuaj, duhet të largoheni pak nga mendimet tuaja. Shkruajini ato në mënyrë që t’i kuptoni më mirë.
Mësoni të mos i rezistoni emocioneve tuaja negative
Emocionet negative i konsiderojmë “ të këqija ” dhe për këtë arsye i shmangim ato. Që do të thotë se truri ynë i percepton ato si probleme që kanë nevojë për zgjidhje, por, nuk ka truke magjike për të larguar emocionet tona negative dhe asnjë mënyrë për t’i “zgjidhur” ato. Ndaj është më mirë t’i njihni, t’i përjetoni për pak kohë dhe në fund t’i lini të shkojnë. Shkrimi i ndjenjave dhe mendimeve tuaja do t’ju ndihmojë. Çfarë ndjen, kur e ndjen, ku je kur ndodh? Çfarë mund të bëni në atë moment për t’u shprehur?
Fikni pajisjet elektronike
Qëndroni larg mediave sociale, celularëve, kompjuterëve, televizorëve për pak kohë. Shkëmbimi i shpejtë i imazheve dhe tingujve, si dhe i videove dhe fotove të jetës së njerëzve të tjerë, mund të krijojë një ndjenjë të pafavorshme përjashtimi. Të kombinuara me një “mendje të lodhur” me shumë mundësi nuk po ju ndihmojnë të mendoni qartë ose të pushoni.