Itali, 2 korrik 2014 – Një operacion i gjerë me pjesëmarrjen e 220 karabinierëve, një helikopteri dhe të tre njësive me qen rezultoi në shkatërrimin e një rrjeti prostitucioni shqiptaro-rumuno-italian. Ky rrjet me 47 anëtarë e zhvillonte veprimtarinë e vet në zonën e Bergamos dhe të Trevizos. Shqiptarët ishin në krye të këtij rrjeti, që i përdorte italianët si shërbëtorë, ndërsa rumunët luanin një rol të ndërmjetëm në menaxhimin e prostitucionit. Disa prej pjesëmarrësve në këtë trafik prostitucioni ndodheshin  në burg për akuza të tjera.

Të paktën tre shqiptarë, ndonëse gjendeshin në burgjet italiane me celularë të futur ilegalisht, drejtonin rrjetin e prostitucionit duke siguruar të ardhura jashtëzakonisht të mëdha. Këto të ardhura siguroheshin nga dhënia me qira (deri 350 euro në javë për prostitutë) të “vendit të punës”, prostitutave kryesisht rumune. Në ndonjë rast arrihej edhe në makabritete të tilla si tentativa e shitjes me qëllim birësimi e fëmijës së porsalindur të një prostitute për 19 000 euro.

Sipas mediave italianem shqiptarët që e drejtonin me celular nga burgu këtë xhiro prostitucioni ishin: Klement Baku, Safet Rustemi (nga Shkodra) dhe Elis Deda.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/